Banesat rrezikojnë të shemben

Banesat rrezikojnë të shemben

7 familje janë evakuuar në Kamëz, pasi banesat e tyre rrezikojnë të shemben.

Këtë e bëri të ditur drejtori i Emergjencave Civile në Kamëz, Bardhyl Gjana.

Gjana u shpreh se aktualisht po punohet me një banese, që ka rrezikun më të madh për t’u shembur.

“Tre familje janë strehuar në çadrat në stadiumin e bashkisë Kamzës. Janë 7 çadra në total, 4 çadra në Kamëz dhe 3 në Paskuqan, pranë banesave të dëmtuara. Janë evakuuar me familjet nga banesat e tyre. Banesat kanë plasaritje të strukturave të kolonave. Ka banesa që janë dëmtuar në muret mbajtëse por nuk paraqesin rrezikshmëri dhe nuk kemi ndërhyrë në to. Grupet e punës janë në terren. Po bëjnë verifikimet. Po ndërhyhet në një objekt tre katësh në lagjen Lura, i cili rrezikon të shembet. Struktura e dy kateve të para është e qëndrueshme por pjesa e çatisë është e palidhur me kolonat, ka pësuar plasaritje të madhe duke rrezikuar objektin poshtë. Është ndërtim jashtë kritereve. Po përpiqemi ti vendosim kolona mbajtëse që të shpëtojmë objektin”, tha drejtori./21Media