Në Kosovë ekzistojnë media të rrejshme, kërkohet kujdes nga propaganda serbe

Sipas Pantinës, për shkak të gjuhës së tyre shumë politikanë nuk duhet të bëhen lajm

OSBE së bashku me Këshillim e Mediave të Shkruara të Kosovës sot mbajtën punëtorinë “Luftimi i lajmeve të rrejshme dhe i propagandës në mediat online”.

Në këtë punëtori u tha se është e paqartë nëse ka lajme të rreme apo lajme jo të plota.

Kryetari i bordit të këshillit të mediave të shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj tha se edhe në Kosovë, zhvillimi i teknologjisë e ka bërë më të lehtë depërtimin e lajmeve të rreme.

“Shumica e ankesave që vijnë në KPM, përfshijnë atë se si duhet të raportohet. Por nuk dihet se a kanë të bëjnë me lajmet e rreme, apo me lajmet e pa plotësuara. Ne kemi edhe media të rrejshme. Ballafaqohem me linqe dhe webfaqe që janë prodhime të rrejshme. Ne mundemi ta përballojmë, por si të ndikojmë në këto raste kur ato përmbajtje nuk janë materie për çdo trup të rregullues, por policor. Shpeshherë shohim lajme jo të plota që të kenë efekt për një grup të caktuar dhe interesa të dikujt”, tha ai.

Sipas Mushkolajt, disa kanë të bëjnë me ilegalitet, me të cilat duhet të merret policia, për të parë se kush qëndron prapa atyre medieve.

Gazetarja Arta Berisha tha se shumë shpesh publikohen informata dhe të nesërmen rezultojnë si të pasakta.

“Portalet në Kosovë nuk janë ato që prodhojnë fake news por keqinformata. Një problem tjetër është ndikimi i mediave sociale, në përmbajtjen e mediave online. Një status që dikush e ka shkruar, nuk është verifikuar deri në fund dhe ka rezultuar si lajm i rremë. Problem tjetër është kopjimi i lajmeve serbe, shkrimet e tyre kur shkruhet për Kosovën nuk janë shumë të vërteta. Nuk është asgjë më tepër se sa propagandë dhe duhet të kemi kujdes se çfarë të marrim e jo”, tha ajo.

Nënkryetarja e komisionit për Administratë Publike, Qeverisjes Lokale dhe Media, Shqipe Pantina tha se legjislacioni në Kosovë e siguron lirinë e medias dhe e rregullon nëse ajo keqpërdoret.

“Kur kam qenë në seancë dhe kam parë lajmet, shpesh herë kom thënë a kam qenë unë në atë seancë. Mediat nuk kanë shkruar se çfarë është në interes për publikun, por çfarë është interesante”, ka thënë Pantina.

Ajo shtoi se ka shumë politikanë nuk duhet të bëhen lajm, për shkak të gjuhës së tyre. Fajtor për lajmet e rreme, sipas saj, më kryesori është gjyqësori.

Pantina mes tjerash tha se nuk është e kënaqur me punën e KPM-së, për çka nuk u pajtua Imer Mushkolaj.

Back to top button