Gashi: Artistët tanë, ambasadorë të shkëlqyeshëm të Kosovës

Gashi: Artistët tanë, ambasadorë të shkëlqyeshëm të Kosovës

Sot, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur një performancë artistike e artistit të njohur, Sislej Xhafa, në kuadër të ekspozitës së parë historike të tij në Kosovë, i ftuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

Vepra “Again and Again” është krijuar në vitin 2000, me qëllim të theksimit të kompleksitetit, unitetit dhe diversitetit të shoqërisë bashkëkohore.

Kjo vepër për herë të parë u performua në Antverpen të Belgjikës në vitin 2000, ndërsa për herë të fundit u performua në muzeun MAXXI në Romë, me rastin e ekspozitës individuale ”Benvenuto“ të Sislej Xhafës atje.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se artisti Xhafa është një emër i madh dhe krenari e shtetit të Kosovës, ndërsa vlerësoi se ishte një performancë më ndryshe se ato që jemi mësuar t’i shohim në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

“Artistët dhe sportistët tashmë janë bërë pjesë e agjendave ditore për ta promovuar Kosovën, këtu dhe gjithandej botës. Neve na mbetet si shtet, të vazhdojmë mbështetjen edhe më tutje për të gjithë artistët tanë, të cilët me veprat e tyre po e promovojnë shtetin e ri të Kosovës”, tha ministri Gashi.

Ndërsa, Arjeta Miftari, artiste, ka vlerësuar veprën e artistit Xhafa si një enigmë deri tash për publikun kosovarë. Ajo vlerësoi veprën e artistit Xhafa sot në Kuvendin e Kosovës si diçka të jashtëzakonshme.

“Në fakt unë kam emocione ende, sepse përjetova diçka shumë të veçantë me këtë rast. Performancën të cilinë e ka sjellë Sislej në Kosovë mendoj se është një vepër e jashtëzakonshme. Sot tërë ditën kemi qenë të lumtur me veprat që ai na I ka sjellë sidomos sot në Kosovë”, deklaroi Miftari.

Ndërsa, artisti Sislej Xhafa nuk është paraqitur para mediave.

Përveç artdashësve, performanca është përcjellë edhe nga ambasadori amerikan Greg Delawie, ai gjerman dhe të tjerë.

Artisti Xhafa paraditen e sotme ka inauguruar në qytetin e tij të lindjes, në Pejë, veprën “E humbur dhe e gjetur”, e cila hap siparin e ekspozitës së tij të parë personale të organizuar në Kosovë. Artisti shqiptar jeton dhe vepron në Nju Jork.