U nënshkrua kontrata për ndërtimin e qendrës së banimit social me 40 banesa

U nënshkrua kontrata për ndërtimin e qendrës së banimit social me 40 banesa

Komuna e Malishevës njofton se pas përfundimit të të gjitha procedurave, sot është nënshkruar kontrata për ndërtimin e qendrës së banimit social në Malishevë, e cila do t’i ketë 40 banesa, të dedikuara për rastet sociale, të cilat e kanë problem strehimin.

Marrëveshja është nënshkruar ndërmjet Komunës së Malishevës dhe operatorit ekonomik N.N. “Themeli”, përkatësisht nënkryetarit të komunës, Hajdin Berisha dhe pronarit të kompanisë fituese për ndërtimin e objektit të banimit social.

“Për mua është një moment shumë i rëndësishëm, pasi tashmë janë kryer të gjitha procedurat dhe sot po e nënshkruajmë këtë kontratë për ndërtimin e qendrës së banimit social, një prej projekteve më të mëdha për këtë vit dhe përfundimisht do të kemi mundësi që të sigurojmë banim për 40 familje në nevojë”, tha nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, me rastin e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e kësaj qendre të banimit.

Qendra e banimit social, me 40 banesa dhe infrastrukturën e nevojshme përcjellëse, do të kushtoj rreth 650 mijë euro dhe bashkë financohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Malishevës.

Ky projekt është dy vjeçar, ndërsa punimet pritet të fillojnë nga java e ardhshme, varësisht nga kushtet atmosferike./21Media