Përgjigjen e tyre për Referendumin sot e dhanë të burgosurit

Përgjigjen e tyre për Referendumin sot e dhanë të burgosurit

Të drejtë vote kanë 1 558 persona të cilët paraprakisht janë paraqitur.

Pos burgjeve, sot kanë votuar edhe të sëmurët dhe diaspora. Nga Komisioni shtetëror zgjedhor, njoftojnë se votimet janë hapur me kohë dhe se deri tani nuk ka pasur ndonjë problem.

“Vendvotimet në 13 shtëpi ndëshkuese,  janë të hapura me kohë në ora 07:00 dhe votimi mund të kryhet deri në ora 19:00. Deri tani ky votim kalon pa një problem. Gjatë ditës së sotme të drejtën e votës do të kenë edhe personat e shpërngulur të brendshëm në qendrën e vetme për persona ku do të votojnë gjithsej 7 persona. Votimi kryhet edhe nga personat e sëmur dhe të paaftë, të cilët në mënyrë të rregullt kanë dorëzuar kërkesë për votim në shtëpitë e tyre nëpër Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe ky numër shkon në 1859 qytetarë të cilët do të votojnë nëpër shtëpitë e tyre, deklaroi Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.

Gjatë procesit të votimit një incident ka ndodhur Australi. Nga KSHZ thonë se nuk kanë kompetenca për zhvillimet që ndodhin jashtë hapësirave ku bëhet votimi.

“Sa i takon zbatimit të votimit në diasporë, kuptohet se jemi në kontakt të vazhdueshëm me Këshillat Zgjedhorë që e zbatojnë votimin në përfaqësitë diplomatike – konsullore. Këtu duhet të theksoj se Këshillat Zgjedhorë, personat që janë dërguar nga Republika e Maqedonisë për ta zbatuar procesin e votimit jashtë vendit, si dhe të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të cilët ndodhen atje, kompetenca, në rol të Këshillave Zgjedhorë kanë vetëm brenda vendvotimeve. Për atë që ndodh jashtë vendvotimit të caktuar, as Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve, as Këshilli Zgjedhor nuk kanë kompetenca që ta adresojnë si sfidë apo problem. Kompetencat janë vetëm brenda vendvotimit dhe ne zyrtarisht mund të flasim vetëm për këto të dhëna, deklaroi Ljupka Guguçevska, zëdhënse e KSHZ-së.

Për votimin e ditës së nesërme, KSHZ ka miratuar 11907 akreditime për vëzhgues të brendshëm, 493 për vëzhgues të jashtëm, 194 akreditime për përkthyes dhe 83 akreditime për gazetar të huaj. Të drejtë vote në këtë proces në nivel shtetëror do të kenë 1 milion e 806 mijë 833 votues  të regjistruar në listën zgjedhore./TV21