Në nderim e mirënjohje për Bushin, Shqipëria ul flamurin në gjysmështizë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi lart rolin e Bushit

Flamuri Kombëtar në Institucionin e Presidencës së Shqipërisë është ulur në gjysmështizë në nderim e mirënjohje për veprën e ish-presidentit amerikan, George H.W Bush.

Këtë e bëri të ditur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta përmes një postimi në Facebook, i cili vlerësoi lart rolin e Bushit.

“Në nderim e mirënjohje të veprës së vyer të Presidentit të 41 të SHBA-ve, George H.W Bush ndaj ndryshimeve të para demokratike në Shqipëri e qëndrimit të tij të palëkundur për liritë e të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht në Kosovë, në vlerësim e respekt të thellë ndaj betejës së tij të palodhur për lirinë dhe shembjen e Murit të Berlinit, Flamuri Kombëtar në Institucionin e Presidencës është ulur sot në gjysëmshtizë.”, shkroi Meta.

Për të nderuar figurën e ish-presidentit amerikan, George H.W Bush, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka shpallur ditën e mërkurë si ditë zie shtetërore. Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se sot flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit./21Media

Back to top button