Ekspertët: Tregu i marihuanës në Nevada do të jetë më i madhi në SHBA

Ekspertët: Tregu i marihuanës në Nevada do të jetë më i madhi në SHBA

Nevada është bërë shteti i pestë amerikan, në të cilin ka nisur shitja e marihuanës për qëllime rekreative.

Marihuana me letërnjoftim mund të blihet nga qytetarët, të cilët janë të paktën 21-vjeç dhe gjatë një blerjeje mund të marrin më së shumti 28 gramë, ndërsa konsumimi i saj është i lejuar vetëm në hapësira private, shkruan “Independent”.

Më shumë se 42 milionë turistë në vit vizitojnë Nevadën, shtet federal i njohur për nga hotelet në qytetin e tij më të madh Las Vegas, dhe pritet që ata të blejnë pothuajse dy të tretat e marihuanës në këtë shtet.

Shitja e marihuanës në shitoret e specializuara ka nisur menjëherë pas mesnatës së kaluar, ndërsa para një shitoreje në Las Vegas qindra vetë prisnin në radhë.

Votuesit në Nevada votuan para tetë muajve për legalizimin e marihuanës, të cilën të rinjtë mund ta blejnë dhe në shtetet tjera federale Kolorado, Oregon, Uashington dhe Alaska, derisa shitja e saj është e  ndaluar në nivel federal.

Për pirjen e marihuanës në vendet publike në Nevada dënimi është 600 dollarë. Po ashtu, edhe vozitja nën ndikimin e marihuanës mbetet e ndaluar.

Ekspertët parashikojnë që tregu i marihuanës në Nevada do të jetë më i madhi në SHBA, të paktën deri në janar kur pritet të nisë shitja rekreative e kanabisit në Kaliforni.