Në PTK nuk pati shpërthim të zjarrit

“Telekomi i Kosovës është duke funksionuar normalisht”

Shefi i Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi ka demantuar pohimet e një pjese të mediave se ka pasur zjarr në objektin e PTK-së sonte në Prishtinë.

“Nuk ka zjarr në Postën as Telekomin e Kosovës. Gjithçka është në rregull dhe demantojmë lajmin për gjoja “shpërthimin e zjarrit në Postën e Kosovës””, shkruan Istrefi në Facebook.

Ai shton se sipas orarit dhe detyrave të punës, punonjësit dhe zyrtarët e Telekomit janë në vendin e vet të punës dhe nuk ka kurrfarë zjarri në objektin apo zyrat e Telekomit.

“Telekomi i Kosovës është duke funksionuar normalisht, pa asnjë pengesë apo vështirësi. Qytetarët nuk duhet të kenë asnjë lloj shqetësimi për këtë informatë të pasaktë të lansuar me qëllime të caktuara. Ftojmë mediat që para çdo emetimi të lajmit, të marrin informata të sakta dhe zyrtare nga përgjegjësit për komunikim në Telekom, të cilët janë në dispozicion 24 orë çdo ditë të javës, për të konfirmuar çfarëdo shqetësimi para publikimit, për hir të informimit të saktë dhe objektiv”, tha Istrefi.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, i kontaktuar përmes telefonit, ka thënë për KosovaPress, se policia nuk është në dijeni të ketë pasur shpërthim të zjarrit në objektin e PTK-së.

“Nuk ka pasur raportime në polici për një gjë të tillë”, është shprehur ai

Back to top button