“Në rast se nuk sillen si fqinj, Kosova ta bllokojë importin e mallrave nga Serbia në tërësi”

Gashi komenton kritikat e BE-së ndaj masës për importin e mallrave nga Serbia

Bashkimi Evropian i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin e tyre për të rritur tarifat me 10% në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiq ka thënë se këto vendime janë një shkelje e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-s.

Ndaj këtyre kritikave ka reaguar njohësi i çështjeve ekonomike, Naim Gashi. Ai në “Click”  në RTV 21, shpjegoi se Serbia ka përdorur masa të cilat rrezikuan shtetin dhe BE nuk ka reaguar.

“Serbia ka përdorur me qindra masa të cilat e kanë rrezikuar qenien e shtetit të Kosovës qofshin ato diplomatike, politike , të sigurisë e të gjitha fushave dhe Kosova për herë të parë merr një masë për mbrojtjen e prodhuesve vendor dhe zgjohet i tërë Bashkimi EVropain. Ajo që dua të them është se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk ka reaguar për bllokimin që Serbia po i bën largpërçuesit të transmisionit që e kemi ne me Shqipërinë ku humbjet janë dhjetëra miliona euro dhe qytetarët e Kosovës veç do t’i paguajnë ato kredi..”, tha ndër tjerash ai, përcjell rtv21.tv.

Ai përmendi edhe mosnjohjen e diplomave nga ana e Serbisë e as pasaportave të Kosovës. Gashi tha se kjo është masa e parë ndërkohë që sipas tij në rrethana tjera Kosova duhet të aplikojë tjera masa.

“Nëse Serbia nuk sillet si një fqinj konstruktiv në raport me Kosovën , mendoj se Kosova duhet ta bllokojë importin e mallrave nga Serbia në tërësi. Dhe të ulemi në tavolinë ose si palë të barabarta e ta respektojmë njëri tjetrin ose respekti nuk mund të jetë i një anëshëm”, tha Naim Gashi në Click”

Ndryshe Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim për vendosjen e masave në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky propozim erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Kjo masë vendoset për qumështin dhe produktet e qumështit, uji, biskotat, materialet ndërtimore dhe lëngjet e prodhuara në këto dy vende. Por, kjo masë përjashtohen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës./21Media

Back to top button