"Ndërtimi i kësaj salle do ofrojë mundësi që edhe nxënësit nga Rogova të përfaqësojnë dinjitetshëm Kosovën në arenën e sportit ndërkombëtar"

“Ndërtimi i kësaj salle do ofrojë mundësi që edhe nxënësit nga Rogova të përfaqësojnë dinjitetshëm Kosovën në arenën e sportit ndërkombëtar”

Në fshatin Rogovë të Gjakovës sot është vënë gurthemeli i sallës së edukatës fizike për nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Haxhi Hoti”, investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në nisjen e fillimit të punimeve mori pjesë edhe  ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi i cili shprehu zotimin e tij për krijim të  kushteve sa  më të mira për të gjithë nxënësit në Kosovë.

Bytyqi tutje tha se duke vënë gurthemelin e kësaj salla sportive po ofrojnë standardet e nevojshme edukative për nxënësit e shkollës “Haxhi Hoti”.

“Ishte një veprim i joni që sot po e realizojmë dhe sot jemi të kënaqur sepse kjo anë dhe kjo shkollë ka mësimdhënës dhe veçanërisht nxënësit e kësaj shkolle meritojnë që tu krijojmë kushte më të mira dhe ambiente sa më të mira dhe këta të përjetojnë standarde të nevojshme që të keni edukim dhe zhvillim të nevojshëm si çdo i ri tjetër në rajonin e Gjakovës dhe në tërë Kosovën. Pra, ne si ministri po zotohemi që po vazhdojmë që anë e mbanë Kosovës të vëmë gurthemele të shkollave të reja, të sallave të reja dhe të krijojmë ambiente që shkollat tona të jenë me standarde perëndimore dhe standarde evropiane”, tha Bytyqi.

Kurse, nënkryetari i komunës së Gjakovës, Ramadan Hoti tha se sot po nis një projekt për të cilin ka pasur nevojë kjo shkollë, dhe se ndërtimi i kësaj salle do ofrojë mundësi që edhe nxënësit nga Rogova të përfaqësojnë dinjitetshëm Kosovën në arenën e sportit ndërkombëtar.

“Sot për mua është një ditë e veçantë dhe një ndjejnë e veçantë që po realizohet edhe ky projekt shumë i nevojshëm për shkollën tonë, për nxënësit tanë të cilët kanë me ditur dhe do të munden me na përfaqësua në mënyrën më të mirë dhe në mënyrën më të dinjitetshme edhe në Kosovë edhe në të gjitha arenat ndërkombëtare të sportit”, u shpreh Hoti.

Drejtori i shkollës fillore të mesme të ulët “Haxhi Hoti”, Musa Shala tha se përmes këtij projekti po fillojnë ndryshimet në infrastrukturën e kësaj shkolle, që ndihmojnë mbajtën e orëve sportive për nxënësit e kësaj shkolle.

“Ky është projekti i parë që po bëjmë ndryshimet ne në infrastrukturën e shkollës sonë, ku edhe dy projekte të tjera do të fillojnë të realizohen të cilat do i realizon Kuvendi Komunal së bashku me drejtorin e Arsimit, por ashtu do të filloj edhe një projekt nga BERZH. Ne jemi krenar dhe të lumtur që në shkollën e fshatit tonë do të filloj një projekt me standarde bashkëkohore dhe moderne ku fëmijët tanë do kenë mundësi që t’i zhvillojnë orët e edukatës fizike në një ambient cilësor dhe modern”, tha Shala.