Në rritje raportimi i dhunës në familje tek organet e drejtësisë

Apostolova tha se barazia gjinore është vlerë për Bashkimin Evropian

Me moton “Ti nuk je vetëm”, sot filloi punimet konferenca rajonale “Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj theksoi punën e qeverisë për parandalimin e dhunës në familje. Sipas tij është rritë numri i raportimeve të dhunës në familje gjë që tregon se ka një vetëdijesim më të madh. “Kontributi im është modest në krahasim me ata që e kanë bërë të mundur këtë konferencë. Është rrit numri i raportimit të dhunës në familje, edhe pse në dukje i keq tregon vetëdijesimin në rritje për raportimin e dhunës”, tha Haradinaj.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmendi tri kushtet kryesore që çdo Kushtetutë e avancuar i posedon. Me këtë rast ai përmendi sponzorizimin e kodeve të ndryshme penale, ku dhunën në familje e kategorizon si kategori në vete, Ligji për të drejtën e pronës dhe pasurisë. “Ne rrjedhim nga një traditë ku janë vlerësuar nënat, por kjo nuk mjafton, tani kemi nevojë për komponentën e vlerësimit të gruas. Në Kodin e ri Penal që kam sponzorizuar tani dhuna në familje është përfshirë si kategori më vete e që nuk do të shpëton pa u ndëshkuar. Ligji për diskriminim, ligji për mbrojtjen e dhunës në familje. Ligji për të drejtat pronësore ia njeh si të patjetërsueshëm gruas të drejtën për pronën dhe pasurinë e saj”, tha Tahir.

Ndërsa Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova tha se barazia gjinore është vlerë për Bashkimin Evropian. “Mobilizimi është i përgjithshëm, me akterë të ndryshëm në këto gjashtëmbëdhjetë ditë për t’i treguar viktimave se nuk janë vetëm. Barazia gjinore është vlerë e Bashkimit Evropian, mundësitë e barabarta për të dy gjinitë janë shumë të rëndësishme për BE-në. Si mundë t’i mbrojmë viktimat kur nuk ka qasje në drejtësi për viktimat. Dhuna në familje në Kosovë mbetet e pa raportuar për shumë arsye”, shtoi Apostolova.

Parandalimin e dhunës në familje e ka mbështetur edhe zëvendësambasadaorja e SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland ku theksoi se kjo ambasadë është e përkushtuar dhe bashkëpunon me Kosovën për luftimin e dhunës në familje dhe në baza gjinore.

Back to top button