Një pjesë e tyre janë në klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa një pjesë në mjekim shtëpiak

Një pjesë e tyre janë në klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa një pjesë në mjekim shtëpiak

Në territorin e Shkupit deri më tani janë regjistruar 81 të infektuar nga koronavirusi, një pjesë e tyre janë në Klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa një pjesë në mjekim shtëpiak. Deri më tani nuk ka vatër lokale autoktone në asnjë pjesë të vendit, as në Shkup, deklaroi sot Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Për numrin e saktë të të infektuarve në komuna, Filipçe paralajmëroi se do të kumtohen shtesë, pasi të shihet analiza e të dhënave nga baza elektronike.

I pyetur se si janë infektuar të sapoinfektuarit në Shkup, Filipçe tha se të gjithë janë në lidhje me klasterë tash të njohur të sëmurëve për epidemiologët.

“Deri më tani nuk ka vatër lokale autoktone në asnjë pjesë të vendit, as në Shkup. Nuk ka asgjë që nuk mund ta shpjegojmë, nuk ka diçka të tillë deri më tani”, theksoi Filipçe, raporton TV21.

Për atë se sa prej të infektuarve në Shkup janë në spital, Filipçe tha se një pjesë e tyre janë në Klinikën për sëmundje infektive, ndërsa të tjerët janë në mjekim shtëpiak, por për numër të saktë do të informojnë shtesë.

I pyetur nëse vendimet për karantinë të domosdoshme u jepen vetëm personave tek të cilët është konfirmuar virusi apo edhe për të tjerët, Filipçe shpjegoi, se të gjithë të sëmurit janë në fazë të mjekimit.

“Personat tek të cilët është konfirmuar koronavirusi janë në fazë të mjekimit. Se a do të mjekohen në Klinikë apo në kushte shtëpie varet nga mjekët dhe manifestimi i sëmundjes. Në varësi të gjendjes ata mjekohen në Klinikë ose në mjekim shtëpiak. Ne e kemi marrë këtë nga modeli gjerman dhe mendoj se është mjaft solide për t’u vazhduar”, shpjegoi Filipçe.

Sa i përket turmës në rritje në autobusët e NQP-së dhe nëse do të sugjerohen masa të reja, Filipçe tha se tashmë kanë biseduar me kryetarin e qytetit dhe se prej nesër problemi do të zgjidhet.

“Arsyeja për këtë është zhvendosja e gjithë orarit të caktuar në bazë të orës policore. Tashmë janë bërë llogaritjet se sa autobusë duhet të lëshohen në kohën e duhur. Unë besoj se prej nesër ky problem do të zgjidhet”, shpjegoi Filipce.

Ministri Filipçe përsëri porosit se ka sasi të mjaftueshme të ilaçeve dhe se qytetarët duhet të jenë të qetë dhe të mos bëjnë barnatore shtëpiake./21Media