Bien shpresat e verës

Bien shpresat e verës

Ka përfunduar takimi mes Kancelares gjermane, Angela Merkel dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili në Berlin është bashkë me një pjesë të kabinetit të tij.

“Kancelarja Merkel ka informuar se Bundestagu do të sjellë vendim në shtator për miratim të hapjes së negociatave për aderim të Maqedonisë së Veriut në BE, në përputhje me procedurat e RF të Gjermanisë për çështjen e zgjerimit të Unionit” thuhet në kumtesën e dërguar nga kabineti i kryeministrit, përcjell TV21.

Po ashtu thuhet se në takim Kancelarja Merkel ka theksuar se Maqedonia e Veriut i ka përmbushur pritshmëritë, gjë që shihet me pozitivitet nga Merkel dhe Berlini.

Nga ana e tij Zaev ka thënë se RMV-ja ka besim të plotë tek Kancelarja Merkel dhe se e mbështet politikën e saj për zgjerimin e BE-së, siç mbështet edhe politikat e Merkelit ndaj Ballkanit Perëndimor, thuhet në kumtesën e qeverisë.

Kryeministri në takim gjithashtu ka potencuar se e gëzon fakti që Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka qëndrim pozitiv për Maqedoninë e Veriut në lidhje me hapjen e negociatave për hapje të bisedimeve për në BE, dhe se duhet të respektohen procedurat dhe proceset demokratike që do t’i mundësojnë Bundestagut të sjellë vendim pozitiv në shtator./TV21