Ahmeti:Kemi interes që Teatrin e Operës dhe Baletit ta kemi në një lokacion të mirë

Ahmeti:Kemi interes që Teatrin e Operës dhe Baletit ta kemi në një lokacion të mirë

Projektet e përbashkëta mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Prishtinës, kanë qenë temë diskutimi në takimin e parë në mes të ministres Vlora Dumoshi dhe kreut të Prishtinës Shpend Ahmeti.

Dumoshi tha pas takimit se kanë diskutuar për finalizimin e projekteve kapitale në Prishtinë, si Teatri i Operës dhe Baletit, Muzeu Bashkëkohor, Stadiumi i Qytetit, Qendra e Tenisit e shumë projekte të tjera në interes të qytetarëve.

I diskutuam me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti dhe me drejtorët për ndërlidhjen dhe bashkëveprimin në projekte të ndryshme. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në buxhetin e vet ka projekte kapitale, të cilat i takojnë dhe do të vendosen në Prishtinë. Bashkërisht biseduam edhe për Teatrin e Operës dhe Baletit, muzeun bashkëkohor, projektet për stadiumin e qytetit të Prishtinës, për qendrën e tenisit, e cila është nismë e Komunës së Prishtinës, ku Ministria e Sportit do ta mbështesë për t’u ndërtuar kjo qendër e nevojshme për tenis. U morëm vesh që ta kemi një takim më të gjerë dhe të bisedojmë në mënyrë konkrete sidomos për Teatrin e Operës dhe Baletit”, tha Dumoshi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, duke folur për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, tha se presin që gjatë muajit mars ta kalojë buxheti në mënyrë që të kenë një koordinim në detaje rreth aktiviteteve që do t’i zhvillojnë sivjet.

 

Ne kemi një diskutim për Universitetin e Prishtinës aty, sot natyrisht nuk morëm vendim se si t’ia bëjmë, por u dakorduam që në ditët në vijim edhe ministria të na drejtohet me një letër ku i detajon se ku është në procedurë dhe bashkërisht të shohim cila është mënyra më efektive dhe me koston më të ulët që të dakordohemi, sepse ne kemi interes që ta kemi Teatrin e Operës dhe Baletit në Prishtinë në një lokacion sa më të mirë dhe MKRS ka interes që të ketë sallë të koncerteve në Prishtinë. Do të ishte mirë që të gjitha fondet që i kemi t’i bëjmë bashkë për ta ndërtuar një sallë, sepse nuk e kemi luksin momentalisht të mendojmë për tri-katër salla”, tha Ahmeti.