Në tavolinë me Gjuriqin, sqarohet Sveçla!

Sveçla thotë se kjo foto është shpërndarë me qëllim të keq

Në media po qarkullon një fotografi ku shihet anëtari i VV-së, Xhelal Sveçla në tavolinë me shefin e Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovë, Marko Gjuriq.

Pas publikimit të fotografisë, reagoi Sveçla. Në sqarimin e tij, anëtari i VV-së tha se ishin pjesëmarrës në një konferencë dhe se vendet dhe tavolinat ku janë ulur pjesëmarrësit i kanë caktuar organizatorët, e jo pjesëmarrësit.

“Të dashur miq, po e shkruaj këtë sqarim jo për ju, por për ata që dëshirojnë keqkuptimin. Une sot jam pjesëmarrës në një konferencë për Bashkepunim Rajonal, organizuar nga CIG dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues të shumë subjekteve politike parlamentare nga rajoni ynë. Sot ka qenë ceremonia e hapjes, dhe vendet dhe tavolinat se ku jane ulur pjesëmarrësit, i kanë caktuar organizatorët e jo pjesëmarrësit. E kuptoj se ka kundërshtarë tanë që jo vetëm se e kanë bërë por edhe e kanë shpërndarë këtë foto me qëllim të keq.”, shkroi ai.

Në fund tha se qëndrimi i VV-së është të marrë pjesë në çdo diskutim.

“Dua të sqaroj se Lëvizja Vetëvendosje nuk funksionon duke braktisur tryezat. Qëndrimi ynë është të marrim pjesë në çdo diskutim, të argumentojmë qëndrimet tona dhe të pamundësojmë marrëveshjet në dëm të Kosoves, ndryshe nga paraardhësit tanë.”, shkroi më tej Sveçla.

Këtë përgjigje e dhanë edhe nga zyra për media e VV-së. Zyrtari për media në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë se Sveçla po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare ku pjesëmarrës është edhe Gjuriq./21Media

Back to top button