Ka deficit të punëtorëve po ka edhe keqpërdorime

Ka deficit të punëtorëve po ka edhe keqpërdorime

Në të gjithë territorin, mbi 98 mijë persona në mënyrë aktive kërkojnë punë, tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë për Punësim në Maqedoni. Nga ana tjetër, ueb faqja e po kësaj agjencie tregon se janë rreth 10 mijë vende të lira të punës. Por pse në këto vende nuk punësohen ata që kërkojnë punë? Arsyeja nuk është aq shumë për mungesën e profesionistëve sa që është për specifikat që punëdhënësi kërkon, tregon zëvendës-udhëheqësi i sektorit të Shkupit në Agjencinë për Punësim.

“Të gjitha profesionet, nuk mund të them se janë deficitare, gati se të gjitha profesionet i kemi në sistemin tonë por janë specifike. Nëse punëdhënësi kërkon disa shkathtësi, për shembull, njohja e gjuhës angleze, certifikata të ndryshme të cilat personi në fjalë nuk i ka, aty hasim mosmarrëveshje në atë lidhshmërinë mes punëdhënësit dhe palës që kërkon punë”, tha Isni Jakupi – nga agjencia për punësim.

Përveç profesioneve dhe kritereve specifike, sipas kryetarit të Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë, Mile Boshkov, ka edhe një arsye tjetër se pse në Agjencinë për Punësim rezultojnë kaq shumë vende të lira të punës.

“Ka punëdhënës të cilët vazhdimisht kanë shpallje të hapur për një vend pune dhe nuk ka detyrim ligjor që kur ta punësojë personin, të bëjë edhe një procedurë tjetër që ta mbyllë shpalljen, kështu që një prej arsyeve është që vazhdimisht ka konkurse të hapura për vende pune që janë plotësuar”, u shpreh Mile Boshkov – Konfederata e biznesit e Maqedonisë, shkruan Tv21.tv

Si nga Agjencia për Punësim poashtu edhe nga Konfederata e Biznesit, pohojnë se profesionet më deficitare në vend janë ato të teknologjisë informatike, si programuesit, informaticientët, por gjithashtu ndihet edhe mungesa e arkitektëve, inxhinierëve si dhe ndërtuesve të kualifikuar. Ndërkaq, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se profesionet për të cilat kompanitë kanë nevojë por nuk mund të gjejnë punëtorë, janë të fushës së metalurgjisë, makinerisë, hotelierisë dhe turizmit. Zgjidhja për mungesën e kuadrove të kualifikuar është modeli dual i arsimimit, thotë Boris Trimçev, këshilltar në Odën Ekonomike.

“Konsiderojmë se aktiviteti që mund të ndërmarrim drejt balancimit të tregut të punës është që tranzicionin nga shkolla në vendin e punës ta bëjmë më të lehtë. Ky tranzicion është pikërisht modeli dual i arsimit, sepse bëhet fjalë për kombinim të teorisë dhe praktikës, e cila bëhet nëpër kompani”, tha Boric Trimçev – Këshilltar në odën ekonomike të RM-së.

Arsimi joformal, trajnimet dhe kualifikimet në disa profesione janë zgjidhje tjetër që punëtorët të kapin ritmin e zhvillimeve teknologjike. Përveç atyre që në mënyrë aktive kërkojnë punë, ka edhe nga ata që nuk duan të punojnë dhe e shfrytëzojnë sistemin e asistencës sociale.

“Disa nga ta në të vërtetë nuk kanë mundësi të punojnë andaj janë në numrat e të papunëve, dhe në këtë mënyrë marrin sigurim social, megjithatë pjesa tjetër e të papunësuarve, de-fakto ne konsiderojmë se janë në ekonominë ose zonën gri dhe e keqpërdorin ligjin dhe sistemin, prandaj nuk paraqiten dhe nuk kërkojnë punë në mënyrë aktive”, tha Mile Boshkov – Konfederata e biznesit e Maqedonisë.

Të dhënat për tremujorin e parë të 2018-s të nxjerra nga Enti shtetëror për Statistikë tregojnë se niveli i papunësisë në Maqedoni është 21.6% ose 206 mijë e 748 të papunë. Sipas këtyre statistikave, në krahasim me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, numri i të papunëve është ulur për 0,3%. Sa u përket vendeve të lira të punës, statistikat e Entit shtetëror tregojnë se në tremujorin e parë të 2018-tës, shkalla e vendeve të lira të punës është 1.68%. Prin sektori për shërbime dhe shitje që ka 2929 vende të lira. Sipas të dhënave, rajoni i Pellagonisë ka shkallë më të lartë të vendeve të lira të punës./21Media