Kurti: Në vend se të kishte gjykata për kriminelë të paqes, ka për “krime” të luftës

Sipas Kurtit, duhet të rritet numri i prokurorëve të specializuar për krimin e organizuar e korrupsionin e lartë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur se këtë vit java kundër korrupsionit po shënohet në një viti me përplot korrupsion si asnjë tjetër.

Kurti përmes një shkrimi në facebook është shprehur se në vend se të kemi gjykata normale që akuzojnë, gjykojnë e dënojnë kriminelët e paqes, na shfaqet gjykata speciale që do të merret me ‘krimet’ e luftës.

“Sipas Raportit “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës” publikuar nga PAX, Holandë: “Keqinformimi rreth Gjykatës Speciale të Kosovës është i përhapur, meqë (për shembull) 35.4% të shqiptarëve dhe 18.9% të serbëve, që e konsiderojnë veten të mirinformuar rreth Gjykatës, gabimisht besojnë se ajo do t’i ndjekë penalisht krimet që lidhen me korrupsionin dhe kapjen e shtetit.”, ka shkruar Kurti në facebook, duke shtuar se nuk do të rritet luftimi i krimit pse u rriten pagat prokurorëve.

“Duhet të rritet numri i prokurorëve të specializuar për krimin e organizuar e korrupsionin e lartë dhe përgatitja tyre, të rishikohet legjislacioni dhe të ristrukturohet prokuroria me prurje të reja edhe jashtë trajektores së parashikueshme që mbizotëron tani, si dhe të riorganizohet provimi i jurisprudencës për luftimin e kapjes së shtetit dhe krimit financiar. E kjo nënkupton fillimisht një a dy prokurorë që nuk i frikësohen kryeministrit e presidentit, zullumqarëve e mujsharëve të tjerë, por përkundrazi – ndjellin frikë tek ata!”, ka shtuar më tutje kryetari i VV-së.

Tanimë kanë filluar ftesat nga Prokuroria Speciale për ish-pjesëtarë të UÇK-së. Zyra e Prokurorit të Specializuar merret me hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, në të cilin thuhet që gjoja se krimet i kanë kryer pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës 1998 deri në vitin 2000./21Media

Back to top button