Në veri të Mitrovicës asnjë aplikim për legalizimin e armëve

Numër i ulët i kërkesave për legalizim të armëve pa leje

Fushata për legalizimin e armëve po karakterizohet me numër të ulët të kërkesave për legalizim të armëve pa leje. Vetëm brenda muajit të parë të kësaj fushate kanë aplikuar gjithsej 208 persona. Këto shifra u bënë të ditura në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku u shpalos progresi i deritanishëm, dhe  planet konkrete lidhur me këtë fushatë për legalizim të armëve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë se në Kosovë ka përmirësim në luftën kundër trafikimit të armëve.

Sipas tij fushata ‘Me letra’, për legalizimin e armëve është një mekanizëm shtesë për rritjen e sigurisë, derisa ka theksuar se Kosova është përmirësuar ndjeshëm në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit.

“Kosova është përmirësuar ndjeshëm në luftën kundër trafikimit  të armëve të zjarrit dhe atë jo vetëm nëpërmjet hetimit. Fushata “Me letra” e cila nga sot do të ketë një shtrirje të gjithë mbarshëm përmes materialeve informuese mbështet zbatimin e ligjit për legalizimin e armëve dhe ndihmon që për gjashtë muaj sa është kjo kampanjë në vazhdimësi të ofroj informata se çfarë duhet të di çdo qytetar për legalizimin dhe të inkurajoj që të marr ata këtë hap…03’05 Deri më sot mbi 100 qytetar tash e kanë shfrytëzuar këtë të drejt dhe ne si ministri e Punëve të Brendshme jemi të kënaqur duke e ditur, ose duke pasur parasysh se procesi është i ndjeshëm dhe se duhet në vazhdimësi që të punojmë të rrisim besimin në raport me qytetarët.”, ka shtuar Zeka.

Kurse, Alessandra Roccasalvo, ushtruese detyre e përfaqësueses së përhershme e UNDP-së, është shprehur se Kosova ka një kornizë të legalizimit të standardeve evropiane, si dhe disponon njerëz që dinë ta zbatojnë atë.

“E rëndësishme është tu themi se çfarëdo rezultate që janë arritur, çfarëdo gjëra që janë bërë janë bërë sipas konventës ndërkombëtare që janë vendosur dhe të cilat Kosova po i përmbush dhe punën që ne po e bëjmë dhe të gjithë. Jemi llogaridhënës me të njëjtat standarde jemi duke punuar me pjesën tjetër të Evropës…. Nuk ka të bëjë kjo vetëm me armët që ju i legalizoni apo i konfiskoni apo t’i shkatërroni ato ka të bëjë për kornizën ligjore dhe këtu janë ato gjëra që zakonisht janë vështirë të shpjegohen, mirëpo ka rëndësi shumë se në Kosovë kemi krejtësisht një kornizë të legalizuar sipas standardeve evropiane, dhe e kemi një ligj, udhëzimet administrative dhe kemi njerëz të cilët dinë se si t’i zbatojnë dhe kalojnë me të.”ka thënë përfaqësuesja e UNDP-së.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, gjatë kësaj konference në kuadër të fushatës për legalizimin e armëve u shpreh se siguria e Ballkanit Perëndimor rrezikohet nga rreth 60 milionë armë të dyshimta që mendohet se janë në këtë regjion.

Held ka përmendur edhe vdekjen e policit, Izet Demaj.

“Ne duhet të vizualizojmë se në këtë rajon ka mbi 60 milionë siç duket armë të dyshimta dhe që jam kërcënim për sigurinë edhe pse kjo gjeografikisht është pjesë e Evropës dhe rrjetet janë fantastike në anën negative dhe shohim armë që dalin aty këtu dhe kërcënimi për shoqërinë në përgjithësi dhe po ashtu edhe për institucionet e zbatimit të ligjit. Dua të kujtoj vdekjen tragjike të zyrtarit policor para disa jave që ndodhi në Kosovë që ra në detyrë dhe nuk kam detaje ta zëmë për origjinën e armës me të cilin ai është vrarë. Por mendoj se kjo është një shenj alarmante këtu në vend apo në gjithë rajonin.”, ka deklaruar ambasadori gjerman.

Held ka lavdëruar institucionet e Kosovë që kanë ofruar bashkëpunim për luftimin e trafikimit të armëve.

Drejtori i Departamentit Operativ në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti, u shpreh se interesimi i personave për të legalizuar armët pa leje është i ulët.

Sipas tij, duhet sensibilizim më i madh sa i takon qytetarëve që jetojnë në pjesën veriore të vendit, pasi që brenda këtij muaji asnjë aplikim nuk është bërë në atë pjesë për të legalizuar armën që posedon.

“Drejtoria e Prizrenit 22 raste, 7 janë për armë brezi dhe 5 për pushkë gjuetie. Drejtoria rajonale e Gjakovës 40 raste, 11 raste për armë brezi dhe 29 raste për pushkë gjuetie. Drejtoria rajonale e Pejës 36 raste 18 janë armë brezi, 4 janë armë gjuetie, 14 armë tjera. Drejtoria rajonale e Mitrovicës së Jugut është 7 aplikantë, prej tyre 5 janë për revole dhe 2 për pushkë gjuetie. Drejtoria rajonale e Mitrovicës së Veriut fatkeqësisht nuk është asnjë aplikim që kërkon një angazhim edhe të partnerëve dhe të gjithë neve që të bëjmë një sensibilizim më të madh që edhe qytetarët në veri të legalizojnë armët ilegale.Në total kemi deri më datën 23, 208 kërkesa për legalizim të armëve ilegale. Bazuar në numrin e aplikantëve deri më tani konsiderojmë se interesimi është i ulët.”, ka deklaruar Ahmeti.

Gjatë kësaj konference u prezantuan edhe produktet e fushatës dhe plani i fushatës në mediat sociale. Qytetarët duhet t’i plotësojnë këto kritere për të legalizuar armën që posedojnë: personi duhet t’i ketë mbi 21 vjeç, të ketë letërnjoftimin e Kosovës, ose leje qëndrimin, dhe të mos paraqes rrezik për sigurinë publike.

Fushata për legalizimin e armëve ka nisur më 17 dhjetor 2018, dhe do të zgjasë deri më 17 qershor të këtij viti, ndërsa kjo fushatë është mbështetur nga misioni i UNDP-së në Kosovë në partneritet me Qeverinë gjermane.

Back to top button