Nënshkruhet marrëveshja financiare për përpjekjet anti-korrupsion në Kosovë

Etienne: Luftimi i korrupsionit duhet të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës

Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Prishtinë (SDC) dhe Zyra e UNDP-së në Kosovë nënshkruan sot marrëveshjen për financimin e zbatimit të aktiviteteve të Projektit të UNDP-së për Mbështetje të Përpjekjeve Anti-Korrupsion në Kosovë (SAEK II).

Nënshkrimi i marrëveshjes shënon edhe një periudhë bashkëpunimi me Zyrën Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, pas realizimit të Projektit Anti-Korrupsion të UNDP-së të përfunduar në maj të vitit 2017.

Me këtë rast, Patrick Etienne, Shefi i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, deklaroi se “luftimi i korrupsionit duhet të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe duhet të trajtohet më seriozisht dhe në mënyrë sistematike nga të gjitha autoritetet relevante. Si pjesë të strategjisë së bashkëpunimit, Zvicra është një kontribues i vlefshëm në përpjekjet zhvillimore të Kosovës. Megjithatë, të gjithë akterët duhet të sigurohen që korrupsionin të mos minojë perspektivat e zhvillimit të këtij vendi “.

Gjithashtu, Andrew Russell, Koordinator për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, ka shtuar se “UNDP është jashtëzakonisht mirënjohëse për partneritetin dhe angazhimin e palëkundur me Zyrën Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, në mbështetjen e luftës kundër korrupsionit në Kosovë”.

Back to top button