Nënshkruhet marrëveshja Mey-DUP

Konservatorët tani e kanë mbështetjen për qeverinë e tyre të pakicës

Konservatorët e kryeministres britanike Thereza Mey kanë arritur marrëveshje me unionistët demokratë, duke siguruar kështu mbështetje për qeverinë e tyre të pakicës.

Sipas marrëveshjes që u vulos dy javë pas zgjedhjeve që i hoqën partisë konservatore shumicën parlamentare, 10 ligjvënës të unionistëve demokratë do të mbështesin konservatorët në votimet kyçe në parlament.

Mbështetja nga 10 ligjvënës të unionistëve demokratë vjen në këmbim të një miliard paund shtesë, që do të jepen për Irlandën e Veriut gjatë dy viteve të ardhshme. Pjesë e marrëveshjes është edhe përmirësimi i trajtimit të veteranëve ushtarakë në Irlandën e Veriut. Kryeministrja Mey e cilësoi marrëveshjen si shumë të mirë për Mbretërinë e Bashkuar në tërësi. Edhe kryetarja e unionistëve demokratë, Arlene Foster deklaroi se ky pakt është pozitiv, si për Irlandën e Veriut, ashtu edhe për Britaninë e Madhe.

Kryeministres Mey i mungonin 9 vende në Parlament për një shumicë të sigurtë, gjë që e detyronte të varej nga parti të tjera për mbështetje. Falë irlandezëve të unionistëve demokratë, Mey arrin të qëndrojë në pushtet, edhe pse pas zgjedhjeve, figura brenda vet partisë së saj i kërkuan që të jepte dorëheqjen.

Gjithsesi nën të ashtuquajturën marrëveshje “mirëbesimi” unionistët demokratë do të reshtohen pranë qeverisë në votimet kyçe, siç është fjalimi i mbretëreshës dhe buxheti, që do të kërcënonin mbijetesën e qeverisë në rast se do të humbeshin. Mey do të ketë mbështetjen e DUP edhe ndaj Brekzitit dhe çështjeve të sigurisë, që ka të ngjarë të dominojnë pjesën më të madhe të parlamentit aktual./21Media

Back to top button