Nënshkruhet marrëveshja “Shkup–Bllacë”

Dy dekada pritje, zvarritja për shkak të huqjeve të projekteve

Dy dekada u premtua, por sot arriti të nënshkruhet marrëveshje për nisjen e ndërtimit të autostradës Shkup – Bllacë. Edhe pse aktivitetet u koordinuan nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nënshkrim dhanë vetëm drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov dhe drejtori gjeneral i kompanisë ndërtimore “Granit”, Zoran Milkovski.

Marrëveshja që u nënshkrua parasheh ndërtim të  vetëm 2 kilometrave të parë të autostradës, që nis nga kufiri në Han të Elezit e deri në hyrje të fshatit Bllacë. Ajo parasheh edhe shpronësim të 68 tokave në Bllacë, për të cilat siç tha zëvendëskryeministri Osmani nuk pritet të ketë problem për çmimin e tokës, i cili si fillim është caktuar 50 euro për metër katror.

“Byroja për ekspertizë veç më ka dalur në terren dhe ka bërë vlerësimin për çdo tokë, varësisht prej karakteristikave të tokës. Unë këtu dua ta falënderoj edhe drejtorin e Byrosë, Valdet Xhaferin i cili shumë shpejtë reagoi për të bërë këtë analizë dhe këtë do t’ua komunikojmë qytetarëve. Ato kanë të drejtë vetëm ta ankimojnë çmimin, në gjykatë dhe gjykata vazhdon procedurën mirëpo ajo ne nuk na ndalon në vazhdimin e punës”, deklaroi Bujar Osmani.

Edhe pse po pritet shpronësimi, sërish drejtori Kitanov nuk parasheh shtyrjeje të afatit të ndërtimit të 2 kilometrave, e që është 18 muaj. Ai madje pret që ndërtimi të përfundojë edhe më herët se viti 2021.

“Më e mira është të ketë projekt të mirë dhe të mos të gëzohemi për projekt të shpejt. Ndonjëherë duket ngadalë, por projekti i mirë bën ndërtim të shpejtë. Atëherë nuk do të kemi problem. Afati është paraparë 18 muaj, ndoshta realizuesi do të arrijë për 12? Ka kushte atmosferike dhe gjeografike. Shpresojmë se do të jetë edhe më herët”, pohoi Zoran Kitanov.

Edhe kompania “Granit” thotë se ka kapacitet që punimet t’i realizojë me kohë, edhe pse ajo për momentin po punon në ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër dhe Shtip – Krupishtë.

“Të gjitha ato projekte që i numëruar, janë në fazë të ndryshme. Kështu që aparatura dhe puna është në faza të ndryshme dhe për këtë, po kemi kapacitet edhe për të tjerë sinqerisht”, deklaroi Zoran Milkovski, drejtor i “Granit”.

E ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski zvarritjen e deritashme ia adresoi në përvojat e hidhura me ndërtimin e autostradave ku ka pasur huqje të projekteve ndërtimore.

2 kilometrat që priten të nisin të ndërtohen në muajin mars, janë pjesë e fazës së parë të autostradës. Faza e dytë parasheh ndërtim të 10.5 kilometrave të tjerë, nga Bllaca deri në Stenkovec. Tërë autostrada do të ketë dy drejtime me nga tre korsi. Dy në gjërësi prej 3.5 metrash, dhe njëra për ndalesë në gjërësi prej 2.5 kilometra. Para një viti, kur u promovua projekti u tha se faza e dytë për të cilën ende po përgatitet projekti, parasheh ndërtim të 4 tuneleve dhe 8 urave. Që të dy fazat parashihen të ndërtohen për 54 muaj, apo 4 vjet e gjysmë. Megjithatë, ky afat me shumë gjasë do të vazhdojë, sepse vetëm për fazën e parë tenderimi u zvarrit për një vit. Tërë autostrada kap vlerën prej 120 milionë euro, ku 70 milionë janë kredi e marrë nga Banka Evropiane për Zhvillim, 20 milionë janë mjete të pakthyeshme nga Fondi për investim në Ballkanin Perëdimor që u siguruan në Poznan, e ndërkaq mjetet tjera janë investim i Ndërmarrjes Publike për Rrugë shtetërore. Kjo autostradë pritet të lidhë Maqedoninë me Kosovën dhe kështu edhe me Shqipërinë. Mosndërtimi i saj nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore është vlerësuar se ka ulur shkëmbimin tregtar mes të dy shteteve për 200 milionë euro./21Media

Back to top button