"Do të evitojmë tendencën e vazhdueshme të politizimit të bordeve dhe agjencive"

“Do të evitojmë tendencën e vazhdueshme të politizimit të bordeve dhe agjencive”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, e përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Qëllimi i Memorandumit të mirëkuptimit është që, në pajtim me legjislacionin në fuqi, të mbështeten përpjekjet e përbashkëta për të siguruar fuqizimin, pavarësinë, meritokracinë dhe profesionalizmin në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike.

 Pas nënshkrimit të Memorandumit kryeministri Haradinaj dhe ambasadori O’Connell u prononcuan për mediet e pranishme.

 Kryeministri Haradinaj është zotuar për respektim të obligimeve që dalin nga ky Memorandum dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë të Qeverisë së Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar.

 “Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me Mbretërinë e Bashkuar, i cili ka për qëllim të siguroj një proces ligjor, por edhe kredibil të rekrutimit të të gjithë personave që do të mbajnë përgjegjësi në Agjencitë që janë kompetencë e Qeverisë”, ka thënë Kryeministri në këtë rast.

 Kryeministri Haradinaj vlerësoi rolin e ekspertëve që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët do të jenë partnerë, duke besuar që ky proces i ndjeshëm të jetë një proces ku do të respektohet ekspertiza dhe kualiteti i atyre që marrin përgjegjësi.

 Do të evitojmë tendencën e vazhdueshme të politizimit të bordeve dhe agjencive, ka thënë kryeministri.

 Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, pas nënshkrimit të Memorandumit ka theksuar se dukuritë e emërimit të njerëzve joprofesional, të cilët nuk janë aty për të ndihmuar institucionin, por për të avancuar qëllimet e shefave të tyre, nuk e ndihmojnë Kosovën. 

 Vitin e kaluar, kur ka filluar ky projekt, u sfidua praktika që pozitat e larta fitoheshin pa meritë dhe u provua gatishmëria e vendimmarrësve të Kosovës për të ngritur të mirën e përgjithshme.

 “Emërimi final i personave nëpër pozita, i takon Kosovës dhe të zgjedhurve të saj, si shtet i pavarur dhe sovran, në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi. Andaj, suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Qeverisë së Kosovës, dhe dështimi po ashtu dështim i saj”,  ka thënë ambasadori O’Connell.