Nënshkruhet vendimi për ndërtimin e Zonës Ekonomike në Rahovec

Shala: Kjo zonë do t’iu shërbejë bizneseve që të kenë hapësira sa më të mira për ta ushtruar veprimtarin

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në detyrë, Endrit Shala, në vazhdën e mbështetjes për bizneset e huaja dhe vendore, sot ka nënshkruar vendimin mbi dhënien e pëlqimit për themelimin e Zonës Ekonomike, respektivisht  Parkut Industrial në Opterushë, Komuna e  Rahovecit, duke  u bazuar  në faktin se kriteret  e parapara  me legjislacion në fuqi janë plotësuar.

Shala theksoi se janë parapa 34 hektar që do të vendosen bizneset e huaja dhe vendore, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke krijuar mundësi për bizneset në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, duke ndërtuar zona ekonomike. Kjo zonë do t’iu shërbejë bizneseve që të kenë hapësira sa më të mira për ta ushtruar veprimtarin dhe numri i të punësuarve parashihet të jetë rreth 600 persona”, tha Shala.

Ai theksoi se roli i ministrisë është krijimi i kushteve sa më të mira për bizneset, duke punuar shumë në fuqizimin e tyre që të jenë konkurruese.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do ta financojë infrastrukturën e kësaj zone me rreth 3 milionë euro duke i kushtuar rëndësi zhvillimit ekonomik të vendit./21Media

Back to top button