Nënshkruhet vendimi për Statutin e Trepçës

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës bëhet pronare me 80% të kapitalit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në orët e para të dielës, Propozim-statutin e Shoqërisë Aksionare “Trepça”. Pro statutit të Trepçës kanë votuar 80 deputetë, 2 ishin kundër, ndërsa 3 kanë abstenuar.

Ndërkaq sot, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka nënshkruar vendimin e miratuar nga Kuvendi për Statutin e Trepçës.

Dokumenti i kaluar me 80 vota pro, parashikon regjistrimin e saj si një ndërmarrje te re në përputhje me ligjin e miratuar në vitin 2016, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës bëhet pronare me 80% të kapitalit.

Lidhur me statutin e Trepçës ka pasur reagime të shumta edhe nga Bashkimi Evropian, të cilët kanë kërkuar që Trepça të përfshihet në dialogun me Serbinë. Ndërkohë që sot, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq ka sqaruar qëndrimin e institucioneve evropiane lidhur me mundësitë që çështja e kombinatit metalurgjik “Trepça” të përfshihet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket çështjes se a është “Trepça” pjesë e dialogut, Bashkimi Evropian, si ndihmës i procesit ka qenë gjithmonë i qartë që rendi i ditës në dialog përcaktohet nga Beogradi dhe Prishtina. Ne nuk komentojmë për pikat për të cilat nuk dëshirojnë të bisedojnë. Ata i sjellin në tavolinë çështjet që i konsiderojnë të hapura dhe më pas duhet të merren vesh për atë se a duan të flasin për secilën çështje, në mënyrë që të arrihet marrëveshja juridikisht e obligueshme për të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë ajo.

Sindikata e pavarurur e minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së djeshme të zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijançiq. Sipas Sindikatës, diskutimi për Trepçën e cenon direkt sovranitetin e Republikës së  Kosovës, si dhe Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje ka reaguar për deklaratën e Kocijançiqit për Trepçën, duke u shprehur se reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dje po ashtu ka deklaruar se Trepça nuk do të jetë temë e bisedimeve me Serbinë./21Media

Back to top button