Thaçi: Bashkimi mund të bëhet përmes rezolutave në kuvendet e dy vendeve apo përmes referendumeve në Kosovë dhe Shqipëri

Thaçi: Bashkimi mund të bëhet përmes rezolutave në kuvendet e dy vendeve apo përmes referendumeve në Kosovë dhe Shqipëri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nëse BE-ja vazhdon izolimin e Kosovës, do të shqyrtohet mundësia për veprime institucionale apo referendume për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Thaçi ka thënë se ideja për korrigjimin e padrejtësive historike për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e sensibilizuar deri më tani. “Edhe në takimin e Berlinit as që është mbyllur ndonjë ide, por as që është prezantuar ndonjë alternativë e re. Diçka të tillë do të vazhdojë të prezantojë”, tha ai.

Presidenti i Kosovës ka thënë se pas vonesave që Bashkimi Evropian po i bënë Kosovës ka ardhur koha të mendohet seriozisht për ndërmarrjen e hapave institucional për bashkim kombëtarë. “Këtë mund ta bëjmë çoftë përmes rezolutave në kuvendet e dy vendeve tona, apo përmes referendumeve në Kosovë dhe Shqipëri, gjithmonë duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha ndër të tjera Hashim Thaçi.

Thaçi në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, ka shtuar më tej se nëse BE nuk i do dy shtetet shqiptare me dy flamuj në gjirin e saj, atëherë le ta pranojë vetëm një flamur.

I pari i Kosovës ka thënë se Kosova nuk e ka alternativë Turqinë, Rusinë apo Kinën, por ka alternativ bashkimin me Shqipërinë.