Sipas Hotit, ushtria e Kosovës do të jetë ushtri që garanton dhe gjeneron paqe, që aspiron NATO-n e misionet paqeruajtëse

Sipas Hotit, ushtria e Kosovës do të jetë ushtri që garanton dhe gjeneron paqe, që aspiron NATO-n e misionet paqeruajtëse

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se nëse ndonjë shteti duhet t’i ndalohet të ketë ushtri, atëherë ajo vlen për Serbinë.

“Ushtria e juaj, z.Vuçiq dhe znj. Bërnabiq, është e komprometuar, ngase ka ende duart e përgjakura. Është ushtria e juaj ajo për të cilën dihet botërisht se ka shkaktuar spastrim etnik dhe gjenocid, ka dhunuar e vrarë gra e foshnje, në Kosovë, Bosnje e gjetiu. Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri që garanton dhe gjeneron paqe, që aspiron NATO-n e misionet paqeruajtëse gjithandej në botë. Do të ndërtohet dhe kalitet që të ndihmojë popuj të tjerë gjithandej globit, të cilët mund të përfshihen në tragjedi të ngjashme, me ato që pësuam ne, nga falangat gjenocidale të ushtrisë serbe”, ka shkruar Hoti në facebook.

Në fund Hoti ka shtuar që Serbia duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës e të Bosnjës, për tragjeditë e shkaktuara.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg para pak ditësh ka thënë se vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës është në kohë të gabuar dhe do të ketë pasoja serioze. Kryeministri Ramush Haradinaj dje ka zhvilluar një bisedë telefonike me Stoltenberg-un, të cilit i ka konfirmuar se ushtria e Kosovës votohet më 14 dhjetor./21Media