Dardan Sejdiu reagon ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës për rrëzimin e Qeverisë

Dardan Sejdiu reagon ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), Dardan Sejdiu, i është kundërpërgjigjur ish-bashkpartiakut të tij, Glauk Konjufca, për mocionin e mosbesimit.

Sejdiu ka thënë se nëse Konjufca mund ta rrëzojë Qeverinë Haradinaj me votat e Listës Serbe, nuk ka nevojë për PSD-në, përcjell rtv21.tv

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social, Facebook ka shkruar se Glauk Konjufca po vazhdon ta manipulojë opinionin publik, duke thënë se Isa Mustafa ishte rrëzuar nga pushteti me votat e Listës serbe, por sipas tij, Konjufca nuk e saktëson se asokohe, votat e Listës Serbe nuk ishin përcaktuese për rrëzimin e tij. Ai thotë se ishin kalkulimet e partnerit të koalicionit ato që ia dhanë fundin.

Mbase është e drejtë e Lëvizjes “Vetëvendosje!” të kërkojë rrëzim të Qeverisë Haradinaj përmes votave PËRCAKTUESE të Listës Serbe, e cila përfaqëson agjendën e Beogradit në Kosovë. Që sot, Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbledhë votat dhe nënshkrimet e deputetëve të saj.“, ka shkruar ai.

Sejdiu e konsideron shqetësuese denigrimin e PSD-së në këtë proces nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai thotë se PSD akuzohet për oportunizëm dhe tradhti opozitare ndërsa veçanërisht, refuzimi i saj për t’i pranuar votat e Listës Serbe shihet vetëm si arsyetim, e assesi arsye.

Për më tepër, deklarimet e Konjufcës bien ndesh me qëndrimet e përfaqësuesve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje – por edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës – rreth llogaritjes në votat e Listës Serbe. Numër i konsiderueshëm i tyre (Rexhep Selimi, Sami Kurteshi, Lutfi Haziri, etj) kanë përsëritur disa herë publikisht refuzimin e tyre për ta pranuar votën serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj”, shkruan deputeti i PSD-së.

Sejdiu thotë se Partia Socidaldemokrate nuk e mbështet qëndrimin se përfaqësuesit e politikës qeveritare të Serbisë duhet ta përcaktojnë kohën dhe mënyrën e rrëzimit të qeverisë së Republikës së Kosovës. “Për diçka të tillë PSD nuk jep vota në Kuvendin e Republikës. As sot, as nesër”, ka shkruar ai.

Sejdiu tha se Partia Socialdemokrate do t’i bashkohet Glauk Konjufcës kur ai t’i sjellë nënshkrimet e së paku 49 deputetëve që nuk janë nga Lista Serbe.

Kur të arrihet kjo, do të jetë e parëndësishme nëse Lista Serbe do të votojë ose jo rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Deklarimet si ky i Konjufcës janë përpjekje që PSD-së t’i mveshet faji për mungesën e vullnetit dhe mençurisë në Lëvizjen Vetëvendosje në strategjinë e rrëzimit të qeverisë. Për më tepër, qëndrimet e këtilla vetëm sa e vështirësojnë tutje çfarëdo bashkëpunimi të efektshëm opozitar në proces”, ka shkruar ai.

Lëvizja Vetëvendosje sot ka kërkuar nga partitë opozitare të gjejnë konsensus për rrëzimin e Qeverisë. LVV ka kërkuar edhe nga LDK-ja që ta procedoj në Kuvend mocionin për këtë çështje./21Media