Nëse May dështon, Britania shkon në zgjedhje të parakohshme

Starmer insiston se nëse kryeministrja e humbet këtë votim, atëherë qeveria e saj vihet në pikëpyetje

Laburistët do të kërkojnë në mënyrë të pashmangshme një mocion mosbesimi nëse Theresa May e humbet votën në Dhomën e Komuneve për marrëveshjen e saj të Brexitit.

Duke folur në emër të partisë se tij, Sir Keir Starmer tha për televizionin Sky News se do te kërkohen zgjedhjet e përgjithshme.

Sekretari i mjedisit, Michael Gove këmbëngul se shefja e ekzekutivit serish mund ta sigurojë mbështetjen që i nevojitet edhe pse me dhjetëra ligjvënës janë shprehur hapur kundër ujdisë së saj.

“Votimi, për çdo rast ka për të qenë sfidues. Por, edhe nëse marrëveshja e May-t nuk është perfekte”, tha Gove, duke shtuar se të gjithë duhet ta pranojnë se po nuk e votuan këtë pakt, alternativat janë ose shkëputje nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje ose nuk do të ketë me Brexit.

Por, Starmer insiston se nëse kryeministrja e humbet këtë votim, atëherë qeveria e saj vihet në pikëpyetje. “Mendoj se është e pashmangshme që ne ta hedhim këtë hap”, ka shtuar ai.

Sipas ligjeve britanike ne fuqi, nëse qeveria humbet një votim për një mocion mosbesimi, ajo ka 14 ditë kohë për të kaluar një mocion të dytë besimi, në të kundërt Parlamenti shpërbëhet dhe shpallen zgjedhjet e përgjithshme.

Back to top button