“Nëse Serbia s’është e gatshme të futet në dialog për njohje, Kosova mund të presë”

Sipas Limajt, tani titulli duhet të jetë dialogu për njohje të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëdrejtues i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë tha se Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje serioze që për herë të parë faktori politik të bashkohet dhe të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë në dialog.

Limaj tha se prej fillimit përpjekja e kësaj Qeverie ka qenë t’i jepet mundësi konsensusit. Ai shtoi se ideja dhe detyra e të gjithëve është ta kthejë në binarë këtë proces. Limaj deklaroi se Kosova nuk është në presion të kohës, por është në presion të arritjes së një marrëveshjeje të mirë.

“Kjo marrëveshje që siguron paqe dhe siguri. Paqja në regjion është në përgjegjësi të gjithëve. Nga eksperienca jonë politikë çdo dialog ka tituj. Konferenca e Rambujesë ka pasur titull. Brukseli ka pasur titull dialog për normalizim të marrëdhënieve. Tash titulli duhet të jetë dialogu për njohje të Kosovës. Ne shkojmë për njohje asgjë tjetër”, shtoi Limaj në një konferencë të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit me titull “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Më tutje, ai tha se nëse Serbia nuk është e gatshme të futet në dialog për njohje, atëherë Kosova mund të presë.

Limaj u shpreh se nuk mund të ketë normalizim të raporteve mes dy vendeve për sa kohë që nuk ka njohje reciproke.

“Forcat politike në Kosovë duhet t’i lënë mënjanë interesat partiake, por të bëhen bashkë. Si delegacion shtetëror e kemi bërë një dokument i cili ka marrë mbështetje nga krerët e institucioneve. Kuvendi tash e ka në dorë dhe të vendos në mënyre që të kemi një zë. Ne jemi të gatshëm për dialog. Ajo që humbë Kosova është me ikë nga tavolina”, shtoi Limaj.

Limaj tha se njohja nga ana e Serbisë lehtëson dhe mundëson në realizimin e të gjitha marrëveshjeve që janë në interes të dy vendeve.

“Kosova nuk do të pranojë me asnjë çmim të rrënojë dhe negociojë sovranitetin e vendit. Kushdo që pret një gjë të tillë, pret gabim”, përfundoi Limaj.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot tha se dialogu Kosovë-Serbi është i pashmangshëm. Sipas tij, ka ardhur koha për të lënë prapa armiqësinë, që ka prodhuar tragjedi në Kosovë.

Back to top button