Nesër grevë në arsim

Njoftimi i SBASHK-ut

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut paralajmëron për të premten (nesër) grevë dyorëshe në sistemin arsimor të Kosovës. SBASHK-u përmes një njoftimi bën të ditur se Këshilli Drejtues pas diskutimeve të shumta e duke përcjellë zërin e të punësuarve në arsim, kanë autorizuar kryetarin e SBASHK-ut dhe kryesinë që në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë të nisin bashkërisht me veprime sindikale.

“Duke u bazuar në këtë dhe në koordinim të plotë me këto dy federata të premten (13.12.2019) mbahet grevë dyorëshe paralajmëruese në çerdhe, në Universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave. Greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30 deri në orën 8:30. Greva në Universitete greva fillon në orën 8 deri në orën 10:00. Greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet.”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Në fund të reagimit u tha se greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dje ka pritur në takim përfaqësuesit e sindikatës së Arsimit, të Shëndetësisë dhe Policisë për të diskutuar për ligjin për pagat të cilin këto sindikata kërkojnë të implementohet në muajin dhjetor ashtu siç është paralajmëruar e të mos pezullohet nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës të cilën e ka bërë Avokati i Popullit. Në rast të pezullimit paralajmërojnë grevë dhe protesta./21Media

Back to top button