Efekti elektoral i Trump-it në Kosovë

Efekti elektoral i Trump-it në Kosovë

E përditshmja amerikane New York Post ka komentuar fushatën zgjedhore të kandidatit të PDK-së për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli.

Kjo gazetë, që del në New York, ku ndodhet e përqendruar edhe shumica e diasporës shqiptare të SHBA-së, i kushton vëmendje të veçantë faktit që Prishtina është mbushur me billborda të presidentit Trump dhe liderit të PDK-së.

Duke nënkuptuar efektin e Trump në fitoren e zgjedhjeve në Kosovë, si dhe duke rikujtuar takimin e zhvilluar mes Trump dhe Veselit në vitin 2017, New York Post përmend se si kandidati i PDK-së për kryeministër ka zgjedhur pro-amerikanizmin si një mënyrë për të arritur fitoren.

Për dallim nga rivalët e mi, unë jam kandidati i vetëm që promovoj një partneriteti të fortë dhe publik me SHBA-të dhe Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump“, ka deklaruar Veseli për New York Post.

Gazeta rikujton se Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe njihet nga më shumë se 100 vende, përfshirë SHBA-në, por Serbia dhe pesë vendet e BE-së ende refuzojnë ta pranojnë atë.

New York Post, më tej, thekson agjendën anti-korrupsion të Veselit.

Platforma ime kundër korrupsionit dhe nepotizmit ka shumë gjëra të përbashkëta me platformën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Trump kanë në luftën globale kundër korrupsionit”, citon New York Post këtë deklaratë të Kadri Veselit, të bërë në një tubim elektoral në Lipjan.

Kjo e përditshme amerikane, po ashtu, shkruan se Veseli ishte një ndër liderët dhe themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe Shef i Shërbimit të Inteligjencës së Kosovës.

New York Post, duke komentuar zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, në fund përmend faktin që edhe kandidatja rivale, Vjosa Osmani, ka lidhje me Amerikën, duke qenë se ka studiuar për juridik në Universitetin e Pitsburgh.