Rregullorja do jetë në funksion nga ora 07:00 deri 00:00

Rregullorja do jetë në funksion nga ora 07:00 deri 00:00

Nga data 1 janar 2020 pritet të ngriten çmimet për parkimin e veturave në Komunën e Prishtinës. Kjo pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar sot (27.12.2019) një rregullore të re për parkingjet publike, ku janë paraparë edhe çmimet që do paguajnë qytetarët për shfrytëzimin e parkingjeve.

Ky vendim i votuar sot në Asamblenë e Komunës parasheh ndarjen e vend-parkingjeve në tri zona si dhe çmimoren për një orë.

Zona 1: 1 euro për dy orë

Zona 2: 0.50 cent për tre orë dhe

Zona 3: 0.30 cent për 3 orë.

Kjo rregullore pritet të hyjë në fuqi nga janari 2020 dhe do jetë në funksion nga ora 07:00 deri 00:00. Para se të votohej kjo pikë e rendit të ditës, pati diskutime të shumta nga ana e asamblistëve dhe të parit të komunës, Shpend Ahmeti.

Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje dha disa propozime që në të gjitha zonat të ngriten çmimet për persona juridik, ngaqë po u shkaktojnë banorëve telashe me hapësira për parking.

“Propozoj që rruga B të futet në zonën e parë të parkingjeve, inkasimi të zgjatet deri në orën 24 të premten dhe të shtunën. Të mos privilegjohen të punësuarit dhe bileta mujore për persona juridik të ngritet nga ajo e banorëve”, tha Rrahmani.

Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, tregoi se përse është marrë hapi që të rriten çmimet në qendër dhe kur do hyjë në funksion implementimi i projektit Prishtina Parking.

“Ideja është që ta shtrenjtojmë parkingun në qendër dhe ta kufizojmë me afate kohore që është deri 2 orë. Pas implementimit e kemi softuerin për të parë ku ka më shumë ngarkesë pastaj i shohim dhe i diskutojmë prapë. Mund të vendosim edhe t’i mbyllim pjesët e qendrës për vizitorë jo me rampë, por me kontroll që është vetëm për banorët si rruga ‘Rexhep Luci’ që ka shumë ngarkesë”, u shpreh Ahmeti.

Më tutje Ahmeti tregoi edhe për numrin e madh të veturave që po hyjnë në qytet si një nga arsyet që ka sjellur deri tek vendimi që qendra të ketë çmim më të shtrenjtë për parking, si dhe shumat e çmimoreve në zona të ndryshme që do hyjnë në fuqi nga janari i vitit 2020.

“Në janar duam të fillojmë me qendrën dhe menaxhimin më të rreptë aty, dhe do gjobiten parkingjet private pa leje që nuk i plotësojnë kushtet sipas rregullores. 140 mijë makina hyjnë në Prishtinë çdo ditë. Ai që vjen për t`u shëtitur duhet të paguaj çmim për atë punë si dhe për ata që posedojnë më shumë se një veturë në qendër me 2-3 vetura duhet të paguajnë më shumë. Kryeqyteti nuk mund të zgjerojë rrugët në qendër por mund  të zvogëlojmë numrin e veturave që hyjnë në qendër, duke i bërë parkingjet në hyrje”, u shpreh Ahmeti.

Në rend dite ishte edhe prezantimi i një projekti për fakultetin teknik nga Ardita Bici- Jakupi, projekt ky që ka synim zgjerimin e hapësirës për 3 objekte tek fakulteti teknik. Kryetari Ahmeti tha se në kampusin kryesor te Biblioteka Kombëtare nuk ka hapësirë për ndërtime tjera prandaj ajo zonë të fakulteti teknik është plan i viteve 70-ta.

“Kemi probleme dhe ngarkesa në kampusin kryesor sepse te biblioteka hapësira është e ngarkuar, Universiteti duhet të jetë prioritet, është përzgjedhur zona te Fakulteti Teknik, i cili është një prej 3 ndërtesa që do zhvillohen në atë zonë, ky është një projekt i viteve 70 pastaj do lihet në diskutim publik 30 ditor për procedim tutje”, shtoi Ahmeti.

Kuvendi komunal i Prishtinës në rend të ditës pati pika të ndryshme diskutimi, si ajo për menaxhimin e situatave urgjente dhe sistemin e alarmit në Komunën e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës në raste të fatkeqësive ka planin operativ emergjent dhe ekipin për mbrojtje nga zjarri në planin operativ emergjent ku bëjnë pjesë ekipi për evakuim, strehim zjarrfikësit, policia, QMF, ekipet e kërkim shpëtimit vlerësim të dëmeve materiale.

Sistemi i alarmimit publik ka 16 pika aktive në gjithë kryeqytetin./kallxo