Nga ethet dengue vdesin 225 persona

Numri i të sëmurëve është rritur për 38 për qind në raport me vitin e kaluar

Autoritetet në Sri Lankë janë duke luftuar me epideminë më të madhe deri më tani me ethet tropikale dengue, sëmundje ngjitëse tropikale të cilën e bartin mushkonjat, nga e cila këtë vit kanë humbur jetën 225 persona, ndërsa më shumë se 76.000 janë sëmurë, raporton AA.

Të alarmuar nga kriza e madhe, qeveria vendosi 400 ushtarë dhe oficerë të policisë të martën për të pastruar mbeturinat e kalbura, pishinat e ujit të ndenjur dhe vendqëndrimet tjera të mundshme të mushkonjave.

Institucionet shëndetësore kanë iniciuar masa për asgjësimin e mushkonjave duke përdorur mjete gazi në hapësira publike.

Numri i të sëmurëve është rritur për 38 për qind në raport me vitin e kaluar, kur Ministria e Shëndetësisë regjistroi 55.150 të infektuar. Sëmundja vitin e kaluar shkaktoi vdekjen e 97 personave.

Numri më i madh i të sëmurëve është në rrethinën e kryeqytetit Colombo, ndërsa sëmundja është përhapur në mbarë vendin.

Back to top button