Holanda ndihmon Kosovën

Holanda ndihmon Kosovën

Në Kosovë ka mbërritur nga Holanda një donacion mjekësor. Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, i cili njoftoi se donacioni përmban aparate dhe maska të oksigjenit, maska mbrojtëse kirurgjikale, shtretër për bartje të pacientëve, rroba mbrojtëse për infermiere, tubacione oksigjeni, dorëza mbrojtëse, kateterë, etj.

“Për t’i zbutur sadopak nevojat urgjente të institucioneve shëndetësore në Kosovë, në përballje me pandeminë COVID-19, Ambasada e Kosovës në Holandë ka organizuar nisjen e një donacioni me materiale mjekësore, me destinim QKUK-në në Prishtinë. Donacioni, pas shumë pengesave gjatë rrugës, ka mbërritur në Kosovë, dhe nesër do t’i dorëzohet Klinikës Infektive në Prishtinë. Donacioni përmban aparate dhe maska të oksigjenit, maska mbrojtëse kirurgjikale, shtretër për bartje të pacientëve, rroba mbrojtëse për infermiere, tubacione oksigjeni, dorëza mbrojtëse, kateterë, etj.”, shkroi ai në Facebook.

Greiçevci falënderoi miqtë e Kosovës për ndihmën që po i ofrojnë. Në fund iu uroi shërim të shpejtë të prekurve nga koronavirusi.

“Të gjithë atyre që janë prekur nga kjo sëmundje dhe atyre që qëndrojnë të izoluar, dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, u dëshirojmë tejkalim sa më të shpejtë dhe të lehtë të kësaj pandemie, e cila ka prekur rëndë edhe Holandën, ku edhe ne si diplomatë të Kosovës qëndrojmë të izoluar, por edhe aktivë njëkohësisht, për t’iu dalë në ndihmë komunitetit tonë këtu.”, shkroi Greiçevci.

Në Kosovë numri i të prekurve me koronavirus ka shkuar në 33./21Media