Nga ky muaj gjoba për ata që shpërndajnë fletushka

90 euro për hedhjen e  fletushkave jashtë vendeve të përcaktuara

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të gjitha subjektet ekonomike të cilat bëjnë shpërndarje të broshurave/fletushkave se në bazë të udhëzimit administrativ për ndëshkimin me gjoba mandatore, hedhja e broshurave dhe fletushkave jashtë vendeve të përcaktuara nga Komuna është e ndaluar dhe shqiptohet gjoba 90 euro.

Komuna thotë se me qëllim të ruajtjes së ambientit, që nga data 1 maj, Drejtoria e Inspekcionit do të shqiptojë gjoba për çdo operator që shpërndanë fletushka/broshura nëpër rrugë, vetura, hyrje kolektive, etj.

“Gjoba mund të duket e vogël, por do të shqiptohet për secilin rast, secilin vend, dhe si rrjedhojë shumëfishohet. Ftojmë kompanitë që ta ndalin këtë lloj të marketingut, ashtu që nga 1 maji të mos evidentojmë asnjë fletushkë/broshurë të shpërndarë asisoj”, thuhet në njoftimin e komunës.

Grumbuj të fletushkave nga bizneset dhe marketeve të ndryshme shihen çdo ditë para dyerve të qytetarëve të Prishtinës. Shpërndarësit e këtyre fletushkave ato vetëm i hedhin në hyrje të banesave e të cilat pastaj shpërndahen gjithandej. Përveç në ndërtesa, shpërndarësit këto fletushka i vendosin edhe nëpër vetura, ku për këtë mënyrë të shpërndarjes së fletushkave banorët e Prishtinës kanë shume ankesa. Ata thonë se më shumë po krijohen mbeturina sesa që po marrin ndonjë informacion nga ato fletushka./21Media 

Back to top button