Ngecje në reformën evropiane

U bënë publike disa nga masat që janë plotësuar

Kosova ishte zotuar që agjendën e Reformës Evropiane, ta realizonte deri në fund të vitit 2017, mirëpo edhe këtë vit nga 29 masat, vetëm 62.96 janë plotësuar në tërësi, 19.44 janë pjesërisht të plotësuara dhe 17.60 përqind të paplotësuara. Kështu thanë përfaqësues të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Institutit GAP dhe Institutit të Prishtinës për studime Politike (PIPS), me rastin e prezantimit të të arriturave të institucioneve përgjegjëse në zbatimin e masave të dala nga ERA.

Njomza Mjeku nga GLPS, ka bërë edhe krahasimin e zbatimit të këtyre masave me vitin 2017, ku ka thënë se atëherë rreth 33 përqind e veprimeve ishin plotësuar në tërësi, rreth 54 përqind e tyre ishin plotësuar pjesërisht, si dhe rreth 13 përqind e tyre ishin të paplotësuara. Ajo ka shpjeguar shtyllën e parë të Agjendës apo “Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit”, e cila i ka 11 masa me gjithsej 37 veprime.

“Kanë qenë gjithsej 11 masa, prej të cilave ne i kemi identifikuar 37 veprime, prej të cilave rreth 73 përqind janë plotësuar në tërësi, rreth 16 përqind mbesin pjesërisht të plotësuara dhe rreth 11 përqind janë ato objektiva për të cilat nuk është punuar asgjë. Institucionet përgjegjëse që t’i realizonin këto 11 masa ishin: Kuvendi. Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, MAP, Komisioni Qendror për Zgjedhje, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Akademia e Drejtësisë”, ka thënë ajo.

Mjeku ka bërë të ditur se disa nga masat që janë plotësuar janë: Ligji për Konflikt Interesi, Ligji mbi Prokurorin e Shtetit, si dhe Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore për Gjyqtarë dhe Prokurorë. Ndërkohë që shtoi se mbetet të miratohet “Kodi i Procedurës Penale”, përgatitja e pakos ligjore për reformën zgjedhore, Ligji për financimin e partive politike, e të tjera.

Nora Jusufi nga GAP, e cila ka prezantuar fushën e dytë të monitoruar “Konkurrueshmëria dhe Klima e Investimeve”, në kuadër të së cilës ishin monitoruar Zyra e Kryeministrit, Kuvendi, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, Ministria e Financave, Administrata Tatimore e Kosovës, Dogana dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

“Në këtë shtyllë i kemi 12 masa dhe 44 veprime përcjellëse, të ndara në 5 kategori: promovimi i investimeve të huaja direkte, përmirësimi i mjedisit afarist, statistikat, agjenda e interkonektivitetit dhe energjia. Konkretisht, në tremujorin e katër të 2018-ës, gjegjësisht për tërë vitin 2018, prej 44 veprimeve të identifikuara, rreth 57 përqind e tyre janë plotësuar, 23 janë plotësuar pjesërisht dhe rreth 20 përqind e tyre mbesin të paplotësuara”, është shprehur Jusufi.

Sipas saj, të arriturat më të mëdha mbeten miratimi i Ligjit për Efiçiencën e Energjisë dhe miratimi i bordit të fondit përkatës, megjithëse funksionalizimi i këtij të fundit ende nuk ka filluar, përmirësimi i statistikave të prodhuara nga ASK-ja dhe prodhimi i statistikave të reja për biznese. Teksa vërejtje ka pasur për mënyrën e qasjes në këto të dhëna të publikuara.

Ndërsa, Visar Xhambazi nga PIPS, i cili ka prezantuar të arriturat e organeve përgjegjëse në përmbushjen e masave të ERA-s për shtyllën e tretë “Arsimi dhe punësimi”.

Ai ka bërë të ditur se në kuadër të kësaj shtylle, e cila përmban 6 masa me gjithsej 27 veprime, janë monitoruar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Kjo shtyllë është e ndarë në dy kategori punësim dhe arsim. Nga 27 veprimet e identifikuara rreth 59 përqind e tyre janë plotësuar në tërësi, 19 përqind janë pjesërisht të plotësuara dhe 22 përqind mbesin të paplotësuara… Sa i përket fushës së punësimit vlen të theksohet se dy masat janë plotësuar me përpikëri, kwshtu që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka mbaruar të gjitha detyrat e nevojshme në raport me ERA-n. Ndërsa në fushën e arsimit kemi një përmirësim modest”, ka thënë Xhambazi.

Njëherësh, ai ka bërë të ditur se ngecje serioze mbetet implementimi dhe krijimi i programeve të ndryshe të kurrikulave bërthamë të AAP-së, ku veprimet e pa plotësuara përfshijnë: hartimin e kurrikulave bërthamë për AAP-në dhe fillimin e fazës së pilotimit, sigurimin e financimit të duhur për qendrat e AAP-së dhe zgjerimin dhe përfshirjen në programet studimore.

Back to top button