Ngritet aktakuzë ndaj kryetarit të Novobërdës

I pandehuri akuzohet se ka shfrytëzuar pozitën me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror

Departamenti për Krime të Rënda, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Svetisllav Ivanoviq.

“Sipas aktakuzës, më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i pandehuri si person zyrtar, në cilësinë e Kryetarit të komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve ‘’Kalaja’’, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve ‘’Ujku’’, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve ‘’Kalaja’’, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune, duke i shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 (dymbëdhjetëmijedyqind) euro.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Më tej në komunikatë bëhet e ditur se me këto veprime, dyshohet se ai ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta ndëshkojë me dënim meritor sipas Ligjit.”, thuhet më tej në komunikatë./21Media

Back to top button