Akuzohen për "Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm"

Akuzohen për “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”

Departamenti i Përgjithshëm, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve A.LL. dhe M.I., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”’ dhe “punimet ndërtimore të kundërligjshme”.

Sipas aktakuzës, gjatë muajit shtator në një shkollë fillore në komunën e Gjilanit, të pandehurit nga pakujdesia dhe si pasojë e mos kryerjes së punëve, duke mos i vendosur në kuadër të standardeve pllakat e stiropolit, të njëjtat janë zvarrë nga pllaka e plafonit të klasës, me ç’rast kanë rrezikuar jetën e nxënësve, të cilët sapo e kanë vërejtur rrezikun kanë dalë nga klasa.

Në këtë mënyrë, të pandehurit kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Gjithashtu, të pandehurit si persona përgjegjës me rastin e projektimit, mbikëqyrjes apo kryerjes së ndërtimit të punëve ndërtimore, nga pakujdesia kanë vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara, duke vendosur pllakat e stiropolit në shkollë, të cilat janë zvarrë pas kryerjes së punëve dhe kanë rrezikuar jetën e njerëzve.

Në këtë mënyrë, të pandehurit kanë kryer edhe veprën penale Punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Në fund, Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurit t’i shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe t’iu shqiptoj sanksion./21Media