Shënohet 243-vjetori i pavarësisë së ShBA-ve

Shënohet 243-vjetori i pavarësisë së ShBA-ve

Garda Ceremoniale e FSK-së në 243-vjetorin e pavarësisë së ShBA-ve, së bashku me shoqatën “Miqtë e Amerikës”, bënë ngritjen e flamurit amerikan në Prishtinë, në sheshin që mban emrin e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Agim Rexhepi, kryetar i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, tha se ngritja e këtij flamuri po bëhet në nder të përvjetorit të pavarësisë së ShBA-ve.

“Populli i Kosovës në veçanti populli shqiptar, për nder të pavarësisë së SHBA-së edhe këtë vit mund tw themi që bëmë një aktivitet në koordinim me ‘Miqtë e Amerikës’ me Ushtrinë e Kosovës dhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës, gjegjësisht me gardën ceremoniale të FSK-së e bëmë ngritjen e flamurit amerikan dhe treguam edhe një herë respekt, dashuri, sinqeritet për t’i treguar popullit amerikan se ne populli shqiptar jemi falënderues. Nuk i kemi harruar ato veprime që kemi bërë jo vetëm kohëve të fundit por edhe gjatë historisë”, tha Rexhepi.

Falënderues ndaj ShBA-ve për kontributin e dhënë ndaj Kosovës u shpreh edhe Hajrush Kurtaj, drejtor i departamentit civilo-ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Kjo festë është e përbashkët e jona, këtë aktivitet që po e zhvillojmë sot, në bashkëpunim me shoqatën “Miqtë e Amerikës” në bashkëpunim edhe me Forcat e Sigurisë së Kosovës duke u bazuar në kontributin e dhënë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentit Willson e deri më tani do të jetë mirënjohës gjithmonë, është mirënjohëse për kontributin edhe sot”, tha Kurtaj.

Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës kishin nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se kishte qenë shkak i Revolucionit Amerikan. Ky dokument ishte hartuar kryesisht nga 32-vjeçari, Tomas Xheferson.