Nis asfaltimi i rrugës Xerxë- Sapniq- Ratkoc

Kushton 900 mijë euro

Ka nisur asfaltimi i rrugës Xerxë- Sapniq- Ratkoc komunë e Rahovecit, dhe vlera e këtij investimi infrastrukturor është rreth 900 mijë euro.

Në fillimin e punimeve mori pjesë edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj i cili tha se si ministri nuk do ndalen për të mbështetur projektet infrastrukturore.
Sipas tij, bazë e zhvillimi ekonomik është infrastruktura lokale, prandaj e konsideron të nevojshme këto investime.

“Jemi në Rahovec për të mbështetur një projekt infrastrukturor që ka ndikim në zhvillimin e komunës së Rahovecit e zonës rural dhe lidh tri vendbanime. Ne nuk do të ndalemi anë e kënd Kosovës që të mbështesim infrastrukturën lokale sepse kemi konsideruar se është bazë e zhvillimit ekonomik, çdo gjë niset nga komuna dhe ne në çdo komunë jemi në mbështetje infrastrukturore, prandaj edhe ky projekt i sotëm do t’i bashkohet mozaikut të infrastrukturës lokale të themi të zhvillimit të komunave”, është shprehur Lekaj.

Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajli Latifi ka thënë se asfaltimi i kësaj rrugë ndikon në shkarkimin e rrugës Xerxe-Kramovik, si dhe ndihmon zhvillimin rural.
Sipas tij vlera këtij investimi infrastrukturor është rreth 900 mijë euro, mjete këto të ndara nga Ministria e Infrastrukturës.

“Në të dy anët kemi filluar edhe nga Ratkoci edhe nga Xerxa është një kontratë e cila kap vlerën diku rreth 900 mijë euro, 898 mijë e 88 euro janë mbi 10 kilometra asfalt, në këtë zonën e banuar është edhe rruga e asfaltuar, edhe trotuari edhe ndriçimi, natyrisht rruga do ta ketë edhe shenjëzimin edhe horizontal edhe vertikal, do ketë edhe shtegun për biçiklist brenda rrugës së shenjëzuar.

Është një rrugë që u ndihmon shumë qytetarëve të kësaj treve, qytetarët e Xerxës, Sapniqit, Ratkocit dhe qytetarëve për rreth. E ndihmon po ashtu zhvillimin rural, është rrugë që është edhe atraksion turistik, po ashtu është rrugë që e shkarkon edhe trafikun nga rruga rajonale Xerxë-Kramovik”, ka deklaruar ai.

Back to top button