Festivali do të zgjasë tre netë

Festivali do të zgjasë tre netë

Mbrëmë në Cyrih të Zvicrës nisi festivali i filmit “Tri Net Film Fest”, i cili është organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me studion “Aktrimi”. Festivali do të zgjasë tre netë dhe në të shfaqen filma të metrazhit të shkurtër.

Karakteri i festivalit është jo garues dhe ka për qëllim lidhjen e artistëve, regjisorëve e aktorëve të Kosovës dhe atyre të Diasporës. Në festival marrin pjesë regjisorë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Qëndresa Fazliu nga Zyra për Informim në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, dha detaje rreth këtij festivali, i cili është në kuadër të aktiviteteve që kjo ministri po organizon në kuadër të “Ditët e Kulturës Shqiptare” në Diasporë.

Fazliu në një intervistë, deklaroi se qëllimi i MDIS-it edhe përmes këtij festivali është që të forcojë lidhjet mes diasporës shqiptare dhe vendlindjes, ndërsa është shprehur e kënaqur me pjesëmarrjen e regjisorëve dhe artistëve në këtë festival.

Ajo la të hapur mundësinë që ky festival të bëhet tradicional, duke thënë se është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga ana e bashkëkombësve të cilët jetojnë në Zvicër.