Hoxhaj: Mohimi i krimeve të Serbisë është një krim i dyfishtë

Hoxhaj: Mohimi i krimeve të Serbisë është një krim i dyfishtë

Qeveria e Kosovës ka nisur një iniciativë për draftimin e një ligji për parandalimin e mohimit të krimeve të luftës nga Serbia. Tani i mbetet ministrisë së drejtësisë ta përgatisë këtë draft-ligj duke u bazuar në praktikat e vendeve evropiane. Pas takimit mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrit të drejtësisë, Abelard Tahiri në një konferencë për media kanë folur më shumë rreth draftimit të këtij ligji.

Sipas zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj qëllimet e iniciativës janë evropiane “sepse Kosova është vend evropian por kur i dëgjojmë çdo ditë deklaratat e kolegeve serb dhe disave në Kosovë e pyesim veten a jemi në vitin 2019… Viktimë kemi qenë ne”. Po ashtu, ai ka deklaruar se qëllimi i kësaj iniciative ligjore është mbi të gjitha moral, sepse me këtë synohet të mbrohet dinjiteti i viktimave dhe familjeve, por edhe shoqërisë. Madje, sipas tij, mohimi i krimeve të Serbisë është një krim i dyfishtë.

Draftimi i kësaj iniciative ligjore, siç ka thënë ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri nuk ka të bëjë me ndonjë komunitet të caktuar “sepse jemi të përkushtuar për një shoqëri multietike  por duke parë që nuk ka shkuar drejtësia në vend, as tash pas 20 vjetëve prej gjenocidit serb”.

“Lufta vazhdon të jetë një plagë e rëndë. Ne ende tentojmë të zbardhim fatin e të pagjeturëve.”, ka thënë Tahiri.

Dhe në këtë 20 vjetor edhe presidenti serb fillon të mohoj këto krime. Sipas Tahirit, Politika dhe tendenca të tilla të Serbisë e dëmtojnë multietnicitetin e Republikës së Kosovës.

Tahiri ka deklaruar se qysh në fillim të javës së ardhshme do të krijojnë një grup punues për jetësimin e kësaj iniciative ligjore. Më tej ka deklaruar se do të jenë shumë të kujdesshëm të ruajnë shoqërinë multietnike, mirëpo sipas tij mohimi i krimeve nuk i shërben krijimit të shoqërisë multietnike.

“Në të ardhmen nëse dikush e mohon krimin, duhet të ndiqet penalisht”, ka deklaruar më tej ai./21Media