Conte sërish Kryeministër i Italisë

Conte sërish Kryeministër i Italisë

Presidenti italian Sergio Mattarella ngarkoi Giuseppe Conten me detyrën e Kryeministrit për krijimin e qeverisë së re të koalicionit 5 Yje-PD.

Vendimi  erdhi pas takimit Mattarella-Conte mëngjesin e sotëm. Kreu i qeverisë së re italiane do të nisë menjëherë sot konsultimet me forcat politike për krijimin e skuadrës së ekzekutivit italian.

“E pranova me rezervë detyrën e ngarkuar nga Presidenti i Republikës për formimin e qeverisë së re. Sot do të nis konsultimet me të gjitha grupet parlamentare. Në fund të konfrontimeve me ta, do t’i dedikohem hartimit të programit qeverisës bashkë me forcat politike që më kanë mbështetur e i falenderoj. Jemi në fillimin e një legjislature të re evropiane e na duhet të rekuperojmë kohën e humbur për ti dhënë Italisë rolin që meriton si protagoniste.”, tha Conte.

Ai shtoi se prioritet i qeverisë është manovra e buxhetit.

“Do të jetë një qeveri risie, riformimi, ringjallje shpresash që do ti ofrojë vendit siguri. Do të punojmë për të pasur një infrastrukrurë të sigurt, rrjete efikase që ushqehen me energji të rinovueshme, që integron mirëqenie ekonomike të qëndrueshme dhe do të eleminojmë pabarazitë e të gjitha llojeve ne axhendën tonë politike.”, përfundoi Conte.

Me shumë gjasa, betimi i ekzekutivit të ri mund të bëhet në mes të javës tjetër.