Nis rigjykimi i doganierit të akuzuar për ryshfet

Sadiku u deklarua i pafajshëm dhe tha se është e pakuptimte aktakuza ndaj tij

Në Gjykatën e Pejës është mbajtur seanca gjyqësore ndaj zyrtarit të Doganës së Kosovës, Shemsedin Sadiku, rastin e të cilit Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim. Në rastin e doganierit të akuzuar për ushtrim të ndikimit, Shemsedin Sadiku, në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Pejës kishte shpallur aktgjykim lirues.

Në seancën e sotme, në fjalën hyrëse prokurorja Sahide Gashi tha se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhenë me shkrim në seancën e mëparshme. Sipas saj, i akuzuari si zyrtar i Doganës ka kërkuar dhe pranuar përfitim të drejtpërdrejtë, duke marrë nga i dëmtuari 2,000 euro për të ndikuar tek kolegët e tij.

“Se a ka ndodhur kështu do të vërtetohet nga dëshmitë e dëshmitarëve, nga përgjimet, dëshmitë e zyrtarëve doganorë si dhe deklaratat e dhëna në procedurat paraprake. Të gjitha këto prova do të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit”, tha prokurorja.

Ndërkaq, në fjalën e tij hyrëse, Gëzim Kollqaku, avokat i të akuzuarit, tha se edhe ai qëndron prapa fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin gjyqësor, shkruan Kallxo.com.

Avokati theksoi se vetë dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria do të vërtetojnë pafajësinë e të mbrojturit të tij. “Duke përjashtuar të dëmtuarin dhe prindin e tij, të cilët kanë dhënë nga 3 apo 4 deklarata, të cilat nuk përputhen njëra me tjetrën”, tha Kollqaku.

Ndërsa, i akuzuari Shemsedin Sadiku u deklarua i pafajshëm dhe tha se është e pakuptimte aktakuza ndaj tij. “Është e pakuptimte kjo aktakuzë sepse në konkursin e brendshëm të Doganës së Kosovës unë jam ngritur në pozitë dhe po të ishte ashtu siç pretendon prokurorja do të isha i suspenduar nga puna e jo i graduar” , tha ai.

Shemsedin Sadiku akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, në mënyrë që të ushtrojë ndikim te kolegët e tij Ganimete Salihi dhe Fisnik Koshi.

Back to top button