Në rend dite edhe Tribunali

Në rend dite edhe Tribunali

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare. Ndër pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara është edhe votimi për formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sërish është shprehur se Tribunali Ndërkombëtar për krimet e luftës duhet të krijohet dhe ka kërkuar nga deputetët të jenë unik në këtë çështje.

Veseli tha se nuk ka rëndësi se kush e ka propozuar iniciativën për themelimin e Tribunalit për dënimin e gjenocidit serb.

Veseli madje u ka thënë deputetëve që nëse duan mund ta largojnë emrin e tij si propozues  dhe të votojnë formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e këtij Tribunali.

 “Unë në seancën e kaluar e thash në qoftë se ka të bëjë me çështje individuale, jo se jam në gjendje të heq dorë prej vetvetes, por kurrë emri im mos u përmend. Por kanë kaluar dy dekada dhe askush  nuk ka marrë këtë iniciativë, Po kjo iniciativë do të shkoj deri në fund, nuk mund ta ndalë askush. Nuk ka nevojë fare të improvizohet, të dalin komisionet nga grupet parlamentare në qoftë se dëshirojnë nga një, e improvizojnë si të duan që të largohet iniciativa nga emri im dhe e votojmë sot”, tha Veseli.

Veseli u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit pa dallime partiake që të bëhen bashkë për ta votuar sot iniciativën për Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë.

Ai tha se pavarësisht që është iniciator i formimit të Tribunalit, ka për qëllim vetëm formimin, duke theksuar se meritat për të do tu takojnë të gjitha partive parlamentare.

“Unë edhe kur e kam iniciuar ju kam thënë se kjo iniciativë le të jetë e të gjithëve së bashku, vetëm ta formojmë pasi kanë kaluar dy dekada dhe askush nuk ka marrë asnjë iniciativë për të kërkuar drejtësi për mijëra viktima e qindra masakra që kanë kryer forcat serbe në Kosovë”, tha Veseli.

Ai tha se sot Kuvendi duhet t’i thotë Po formimit të komisionit shtetëror për Tribunalin e gjenocidit serb.

Në sallë ka mospajtime për pika të ndryshme. Deputeti i PSD-së Faton Topalli, ka propozuar rezolutë që Kuvendi të krijojë një Komision Parlamentar i cili do ta ketë për bazë tekstin për Tribunalin që u është propozuar.

Kur është vënë në votim, 62 deputetë kanë votuar pro.

Në rend dite në seancë janë edhe dy pika të ngjashme me rëndësi, njëra për Muzeun e Gjenocidit në qendër të Prishtinës dhe tjetra për Muzeun e të dëbuarve në Stacionin e trenave në Prishtinë./21Media