Vazhdon seanca që ishte ndërprerë më 16 maj

Vazhdon seanca që ishte ndërprerë më 16 maj

Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës ka nisur me një fjalim të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se ka pritur që do të ketë hezitime e goditje në propozimin e tij për themelimin e tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serbe në Kosovë, por nuk ka pritur një qasje të tillë brutale në mes shqiptarëve.

Veseli ka rrëfyer edhe ngjarje të rënda që kanë ndodhur gjatë luftës së UÇK-së, duke thënë se jo shumë njerëz kanë besuar që dikush do të luftonte ndaj Serbisë, por ajo ndodhi.

Ai tha se edhe sot ka hezitime të tilla kur duam ta themelojmë tribunalin ndërkombëtar për gjenocidin serbe në Kosovë.

Veseli tutje tha se iu është kërkuar ditën e enjte që të ndalet procesi i themelimit të tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serbe në Kosovë, por kjo sipas kreut të Kuvendit nuk do të ndalet.

“Grupime parlamentarë më kërkuan që ndoshta është më mirë të ndalet kjo punë, kjo punë nuk ka me u ndal. Kosova ka pothuajse gjithçka dhe di çdo gjë që ruhet në arkivat e shtetit serb. Brezat e kaluar dhe as brezat e ardhshëm nuk do të na falin nëse lejojmë që detyra jonë kombëtarë dhe historike të shembet përballë inateve partiake dhe interesave ditore”, tha ai.

Veseli ftoi për unitet politik për Tribulnalin Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë. Teksa mohoi që kjo nismë, të ketë ardhur si kundërpërgjigje ndaj Gjykatës Speciale, të votuar në Kuvendin e Kosovës.

“Iniciativa për ngritjen e Tribunalit të gjenocidit serb në Kosovë nuk lidhet fare dhe asgjë me Gjykatën Speciale. Para së gjithash, për arsye shtetërore. Çdo veprim paralel, neutralizues ose mohues i Gjykatës Speciale në këto rrethana mund të dëmtojë edhe më shumë shtetin tonë, kombin tonë dhe vet UÇK-në. Gjykata speciale është themeluar nga ky Kuvend, ky është fakt i pakthyeshëm më. Ajo duhet të kryejë punën e vet paanshëm dhe profesionalisht ndërsa Tribunali Ndërkombëtar duhet të ndodhë, për faktin se i hap Evropës, rajonit, Kosovës dhe Serbisë një perspektivë të re dhe premtuese”, tha ai.

Ai tha se Kosova ka fakte e dokumente të shumta nga arkivat serbe se si janë tentuar të fshihen gjurmët e krimeve shtetërore të tyre, nga krerët politikë e ushtarakë të Serbisë.