Policia e Kosovës ka siguruar Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman

Policia e Kosovës ka siguruar Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në koordinim me Ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt, Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, Drejtorin e Agjencionit për Menaxhimit Emergjent, Fadil Kodra, Ministrinë e Punëve të Brendshme – Drejtorin Valon Krasniqi dhe përfaqësuesit e GIZ-it, janë dakorduar që Koordinator i ekipit ndër – institucional të pranimit, strehimit dhe kujdesit për të zhvendosurit nga Shqipëria në Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren, të jetë Faruk Dakaj, Drejtor për Emergjenca dhe Siguri, i ndihmuar nga të gjitha institucionet relevante qendrore dhe lokale.

Zyra e Kryeministrit në detyrë, njoftoi se nga ky mobilizim, Parku Inovativ dhe Trajnues Kosovaro – Gjerman është në proces të sistemimit të personave të zhvendosur nga Shqipëria dhe po ky ekip është angazhuar që t’u ofrojë gjithë ndihmën e nevojshme.

Policia e Kosovës ka siguruar Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman, Agjencia e Emergjencave ka dërguar ekipin adekuat, Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Prizrenit janë kujdesur për ekipet mjekësore primare dhe sekondare, Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar ekipet adekuate për menaxhim të zhvendosjen, Shoqëria civile dhe qytetarët në koordinim me Komunën e Prizrenit kanë ofruar ushqim dhe materiale të tjera të nevojshme.

Ambasada Gjermane në Prishtinë dhe GIZ, janë në përkrahje të vazhdueshme në koordinim dhe në ndihma.

“Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Prizrenit, Institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës, për gatishmërinë, përgjegjësinë, reagimin dhe profesionalizmin e treguar në gjithë këtë situatë tragjike për bashkëkombësit tanë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj, theksoi se Kosova, në mënyrë institucionale, Ambasada Gjermane në Kosovë, GIZ-in dhe qytetarët e Kosovës me ndjenjën e solidaritetit do të jenë në dispozicion dhe pranë popullit shqiptarë në këto momente të vështira.

Deri në 800 shtretër dhe hapësira akomoduese do të jenë në dispozicion për banorët që kanë pësuar nga tërmeti në Shqipëri./21Media