Hapen vendvotimet

Hapen vendvotimet

Në këto momente ka nisur votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ), Valdete Daka ka kryer obligimin e saj qytetar duke votuar në Qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Ajo ka porositur qytetarët, komisionerët e partitë politike që të bëjnë kujdes gjatë ditës së sotme në mënyrë që të ketë proces të rregullt.

“I ftoj të gjithë qytetarët, të gjitha subjektet politike, komisionet që ditën e sotme të kenë kujdes dhe nga ky moment procesi është në duart e tyre. Ta kemi parasysh se gjithçka që do të ndodhë i faturohet Kosovës, e jo atyre. Suksese të gjithëve e punë të mbarë”, ka thënë Daka.

Në qendrën e votimin në Fakultetin Teknik janë të regjistruar 4 mijë e 100 votues.

RTV21 deri më tani ka raportuar se në Prishtinë, Gjakovë, Ferizaj janë hapur qendrat e votimit dhe gjithçka është në rregull.

Janë 1 milion e 937 mijë 869 persona që sot kanë të drejt vote, të cilat do të kenë mundësi t’i votojnë për 20 parti politike, katër koalicione dhe 1 kandidat të pavarur, me 1 mijë e 67 kandidatë për deputetë.

Numri i Qendrave të Votimit është 895 me 2 mijë e 547 vendvotimeve. Kurse, numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje është 111 mijë e 733 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar të mbajë disa konferenca gjatë ditës së sotme për të informuar lidhur me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje dhe ecurinë e procesit zgjedhor, në orën 08:00; 11:30; 15:30; 19:30 dhe për konferencën ku do të publikohen rezultatet preliminare KQZ-ja do të informojë më vonë./21Media