"Bryma e vdekjes" dramë e autorit Milazim Krasniqi

“Bryma e vdekjes” dramë e autorit Milazim Krasniqi

Për të shënuar njëzetë vjetorin e eksodit të shqiptarëve, të cilët ishin të detyruar nga aparati ushtarak serb për të udhëtuar drejt kampeve të refugjatëve në fshatin Bllacë të Maqedonisë, kanë nisur provat e shfaqjes “Bryma e vdekjes” në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kjo dramë e autorit dhe profesorit universitar, Milazim Krasniqi, paraqet përvojën e tij dhe të familjes së Krasniqit nga kampi i Bllacës.

Vetë autori ka shpalosur emocionet që po përjeton, e sidomos që pjesë e kësaj shfaqje do të jetë edhe e bija e tij, Teuta Krasniqi.

“Një polici të dhunshëm që na terrorizonte në Bllacë, i pata thënë, me idhnim, se do t’ua përjetësoja turpin që po bënin. Drama ime “Bryma e vdekjes” është përjetësim artistik i atij turpi maqedonas dhe i gjenocidit serb. Sot pata kënaqësinë të merrja pjesë në provat që kanë filluar për vënien në skenë të kësaj drame në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Emocioni ishte edhe më i madh, pasi në shfaqje luan edhe Teuta, me të cilën e mbijtuam tmerrin e Bllacës.”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërkaq, regjisorja Burbuqe Berisha ndjehet e entuziazmuar për këtë shfaqje, teksa ka thënë se kjo shfaqje paraqet atë çfarë ka ndodhur në realitet.

“Kampi i Bllacës paraqitet ashtu sikurse edhe ka qenë në realitet një kamp famëkeq ku njerëzit luftonin në mes të vuajtjes dhe vdekjes, e gjithmonë duke u munduar ta balancojnë me një dozë të dinjitetit, së paku aq sa iu lejonin rrethanat.”, ka shkruar Berisha.

Premiera e dramës “Bryma e vdekjes” është përcaktuar të prezantohet më 5 prill në Teatrin Kombëtar./21Media