Nishani dekreton mbajtjen e zgjedhjeve

Zgjedhjet do të mbahen më 25 qershor

Pas marrëveshjes së arritur ndërmjet kreut të PS-së, Edi Rama dhe të PD-së, Lulzim Basha, Presidenti i Shqipërisë,Bujar Nishan dekretoi sot datën e zgjedhjeve parlamentare me 25 qershor 2017.

Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Olsi Lafe tha se zgjedhjet do të zhvillohen ditën e dielë datë 25 qershor. Po ashtu ai bëri të ditur se po në këtë datë do të zhvillohen dhe zgjedhjet vendore në Kavajë që u anuluan në 6 maj.

“Në vijim të iniciativës së Tij institucionale e të vazhdueshme për të nxitur dialogun politik me synim gjetjen e zgjidhjes politike mbi baza kompromisi, Presidenti i Republikës vlerëson maksimalisht këtë marrëveshje si një arritje të rëndësishme me interes për vendin dhe popullin shqiptar. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit gjithashtu shpreh mirënjohjen dhe ndaj kontributit të çmuar të dhënë nga miqtë evropianë dhe amerikanë të Shqipërisë”, deklaroi Lafe.

“Në respekt të Kushtetutës dhe dispozitave të Kodit Zgjedhor, si dhe bazuar në kërkesën e krerëve të mazhorancës dhe të opozitës për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare dhe të zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kavajë, pjesë e kësaj marrëveshje politike, Presidenti i Republikës vendosi të miratojë këto kërkesa, si vijon: Ndryshimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, më 25 qershor 2017. Theksojmë se kjo datë i përket ditës së dielë të fundit të periudhës zgjedhore të parashikuar në Kodin Zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka vendosur të dekretojë të njëjtën datë, 25 qershor 2017 dhe për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kavajë”, thuhet në dekretin e Presidentit.

Back to top button